Studentët e Juridikut vizituan Akademinë e Kosovës për Siguri Publike

18/01/2019

Studentët e vitit të tretë dhe katërt të Fakultetit Juridik në UBT dhe kolegjin “Arbëri”, nën shoqërimin e ligjëruesit Ferid Azemi, kanë realizuar vizitë studimore në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP).

 

Studentët  janë njohur me punën e këtij institucioni, i cili përveç që ofron trajnime, bën edhe zbatimin e politikave dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë publike.

 

Ata janë pritur nga zyrtarët e institucionit të cilët informuan studentët lidhur me trajnimet e pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë publike, ku thanë se i përgatisin profesionalisht dhe sipas standardeve ndërkombëtare.

 

Krahas vizitës studimore, studentët morën pjesë edhe në ligjëratën tematike në kuadër të lëndës Krimi dhe Ndëshkimi, ligjëruar nga Ferid Azemi, ku me theks të veçantë është folur për rolin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike.