UBT përmbyll një vit tejet të suksesshëm

28/12/2018

Një mori anëtarësimesh e marrëveshjesh të arritura, suksese të studentëve dhe stafit dhe organizime unike të UBT-së, u përmbyllën në mënyrën më të mirë të mundshme, përmes një ndeje madhështore të institucionit, për të nderuar të gjithë stafin e UBT-së, të cilët kanë ndikuar në rritjen dhe shtimin e sukseseve përgjatë vitit 2018.

 

Për të falënderuar të gjithë ata që ndikuan që studentët e UBT-së të shpallen më të mirët në gara ndërkombëtare, që sollën në UBT qindra akademikë e personalitete të shquara botërore, që ndihmuan në anëtarësimin e UBT-së dhe Kosovës në dhjetëra organizata të njohura botërore, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi bëri bashkë të gjithë stafin e UBT-së, në mënyrë që bashkërisht të kremtohej arritja e sukseseve të shumta gjatë vitit 2018.

 

Hajrizi tha se është fat që përgjatë 18 viteve ka punuar me njerëz që janë rritur intelektualisht bashkë me UBT-në, duke besuar që sukseset do të shumëfishohen në vitin e ardhshëm.

“Këtë rrugëtim e kemi bërë së bashku dhe secili prej nesh duhet të jetë krenar që sot UBT-ja është institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend, veçanërisht për nga sukseset e arritura dhe niveli i punësimit të studentëve tanë”, vlerësoi Hajrizi.

 

Për kontributin e dhënë ndër vite, UBT nderoi me mirënjohje disa të punësuar, të cilët tash e 12 vite i kanë qëndruar besnikë institucionit dhe kanë përcjellë dhjetëra gjenerata studentësh, duke u bërë kështu pjesë e pashkëputshme e historisë së institucionit.

Fatbardha Qehaja, Muhamet Ahmeti, Donika Krasniqi, Binak Beqaj, Safet Zejnullahu, Emrush Ujkani, Edmond Tafarshiku, Skender Kosumi dhe Xhafer Krasniqi, janë disa nga anëtarët e stafit ndaj të cilëve UBT është tejet falënderues për punën dhe kontributin madhor të dhënë ndër vite.

Faleminderit për këtë vit të suksesshëm! Mirë u pafshim në vitin e ardhshëm!