Studentë të UBT-së dhe qytetarë të shumtë dhuruan veshmbathje për personat në nevojë (Foto&Video)

20/12/2018

Një nismë e studentëve të UBT-së për të ndihmuar personat që kanë nevojë, u shndërrua në një ngjarje që iu bashkuan një numër i madh i qytetarëve, të cilët mblodhën pallto dhe veshmbathje të tjera për personat që kanë nevojë, duke ngrohur trupin e shpirtin e tyre në këtë stinë të ftohtë.

 

Veshmbathjet e mbledhura u vendosën në sheshin e Prishtinës, dhe ndonëse disa prej tyre tashmë janë marrë nga nevojtarët, shumë të tjera po qëndrojnë aty, për të rënë në duart e atyre që kanë të ftohtë.

 

Është ngjarja “Nuk të duhet? Jepja dikujt që ka nevojë”, e cila më shumë se veshmbathje, ngjalli ndjenjën e bashkimit, solidaritetit dhe humanizmit, për të bashkëndjerë e ndihmuar ata të cilët në këtë stinë kanë nevojë më shumë se kurrë për dikë që interesohet e brengoset për mirëqenien dhe lumturinë e tyre.

 

Në këtë formë, studentët e UBT-së dhe dhjetëra qytetarë të tjerë, i dhanë kuptimin meritor Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit të Njeriut. E zinxhiri i solidaridetit nuk përfundoi me kaq. Duke e parë angazhimin e pjesëmarrësve në temperatura minimale, biznesi “DAME Creative” ofroi pije të ngrohta pa pagesë për të gjithë pjesëmarrësit në aktivitet.

 

Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte ofrimi i ndihmës për njërën ndër kategoritë më të lëna pas dore në Kosovë.

Ky aktivitet ishte simbolik, por qëllimi kryesor ishte sensibilizimi i qytetarëve, sidomos të rinjve, se me ne dhe me gjëra të vogla që nisin nga ne, mund të fillojnë ndryshimet pozitive dhe rrënjësore në shoqëri.