Gazetari Leart Hoxha mbajti ligjëratë para studentëve të Medias dhe Komunikimit në UBT
12/12/2018Para studentëve të vitit të dytë të Fakultetit të Medias dhe Komunikimit, në UBT, gazetari dhe moderatori i njohur i emisionit debutues, “CLICK”, në RTV 21, Leart Hoxha ka mbajtur ligjëratë tematike më titull: “Roli i gazetarit në shoqëri”.
Ai tregoi se ligjërimi para studentëve të gazetarisë është një moment i veçantë sepse është ndarje e përvojave me brezin e gazetarëve të ardhshëm të Kosovës.
“Tregut medial çdo vit i shtohen dhjetëra të diplomuar në media, komunikim, gazetari dhe degë të ngjashme. Andaj është përgjegjësi, por edhe kënaqësi e madhe që për kolegët e së nesërmes të tregoj përvojat e mia profesionale dhe sfidat me të cilat jam përballur e vazhdoj të përballem”, tha ai.
Hoxha u tha studentëve të UBT-së se kanë zgjedhur të merren me një zanat shumë interesant, por shumë sfidues, megjithatë, sipas tij, nëse marrin diçka nga përvoja e kolegëve, do të bëjnë më pak gabime dhe do të ngritin standardet e punës në profesionin e tyre.
Në fund të ligjëratës, studentët patën rastin të bëjnë pyetje dhe të përfitojnë informacione interesante nga gazetari me përvojë shumëvjeçare.