Ish-studenti i UBT-së, menaxher dhe IT në kompaninë “Swiss Marketing Group”
11/12/2018Fakulteti i Shkencave kompjuterike dhe Inxhinierisë, në UBT, është shkolla më e madhe dhe më e suksesshme për studime të kësaj fushe në Kosovë dhe rajon. Këtë e përforcon fakti që studentët tanë janë tejet të kërkuar jo vetëm në tregun vendor të punës, por në atë evropian.
Një histori e tillë sukesi është ajo e ish-studentit të UBT-së, Elmaid Beqiri, i cili është duke punuar në pozitën e menaxherit dhe IT-së në kompaninë gjigante me selinë kryesore në Zvicër, “Swiss Marketing Group”.
Elmaidi tha se punësimi në këtë kompani nuk ishte aspak i lehtë, duke pasur parasysh shtrirjen dhe famën e kësaj kompanie, megjithëse tregoi se mori vendim që të mos hiqte dorë asnjëherë, për çka sot gëzon njërën ndër pozitat më të rëndësishme në kompani.
“Angazhimi i palodheshëm nga ana ime bëri që të fitoj besimin e plotë të presidentit të kompanisë. Pastaj, hap pas hapi arrita ta fitoj edhe pozitën e menaxherit, ku për gjithë këto vite kemi kaluar nëpër shumë punë dhe projekte të ndryshme, si dhe gjatë periudhës së punës kemi arritur të rrisim numrin e të punësuarve në 100 persona vetëm në degën e Prishtinës”, shpjegoi ai.
Për tërë këto suksese të arritura, Elmaidi i është mirënjohës UBT-së, për fakrin se, siç rrëfen ai, i kanë ndihmuar atij dhe studentëve të tjerë në arritjen e pjekurisë në profesion.
“UBT është nje institucioni nga ku dalin shumë kuadro profesionale të studentëve, andaj i falënderohem për njohuritë që më janë ofruar nga stafi profesional”, potencoi ai.
Ndonëse ka arritur sukses të jashtëzakonshëm, Elmaidi synon që në të ardhmen e afërt t’i bashkohet ekipit punues të kompanisë në degën në Zvicër ose në Gjermani.