Studentet e UBT-së, pjesë e ekipit punës për dizajnimin e hapësirave publike në kuadër të projektit YPLAN Kosova

30/11/2018

Në kuadër të projektit YPLAN Kosova, zhvilluar nga organizata PRO-Planning, të rinj nga komuna e Prishtinës dhe Graçanicës, tash e nëntë muaj janë bashkuar për të shkëmbyer ide e përvoja, me qëllim të funksionimit dhe rregullimit të planifikimit hapësinor në vendet ku ata jetojnë.

Pjesë e këtij projekti janë edhe studentet e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, Jeta Maksuti dhe Leandra Llujnji, të cilat bashkërisht me ekipin punues hartuan dhe dizajnuan hapësira në lokacionet e zgjedhura. Studentet janë përkrahur nga profesoresha në UBT, Sadije Deliu-Kelmendi, e cila njëherësh është edhe menaxhere e Qendrës Kosovare për Hulumtime Urbane “PRO-Planning”.

 

Parku i Prishtinës, tek të ashtuquajturat Banesat e Bardha, është projekt i ideuar nga këta të rinj, i cili ka gjetur zbatim dhe po implementohet dhe realizohet në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës. Po ashtu, i njëjti projekt është zhvilluar edhe në fshatin Llaplasellë, në Komunën e Graqanicës.

 

Në këtë projekt kontribut dhanë studentet e UBT-së, të cilat shfaqën talentin e profesionalizmin e tyre, teksa falë rëndësisë dhe cilësisë, projekti është prezantuar edhe në Kongresin vjetor të Organizatës Ndërkombëtare të Planerëve ISOCARP, në Portland të SHBA-ve.

 

Për realizimin e projektit janë mbajtur edhe seminare për ekipin punues, të cilët janë trajnuar në përdorimin e teknologjisë së mençur, gjeobllogjet në web dhe aplikacion, kjo për të evidentuar perceptimin e hapësirave publike në terren.

 

Ky projekt është zhvilluar në kuadër të Promovimit të Shoqërisë Demokratike (DSP) dhe është financuar nga zyra zvicerane për bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Danida, ndërkaq është menagjuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile.