Ngacmimi online, sfidë për njerëzimin në epokën digjitale
27/11/2018Tash e disa vite, ngacmimet online kanë ndikuar në prishjen e rehatisë dhe sigurisë personale të njerëzve, dhe në veçanti, të vajzave e grave.
Ngacmimet që vijnë veçanërisht nga rrjetet sociale dinë të jenë sa të pakëndshme, aq edhe të rrezikshme, andaj duhet bërë më shumë përpjekje për raportimin e rasteve të tilla.
Hapat e parë për mbrojtje janë edukimi mbi ngacmimet, mbrojtja e llogariver personale, mbajtja private e fotografive, shmangia e linqeve të panjohura, shkyçja nga llogaritë online, postimi, komentimi dhe pëlqimi i postimeve të duhura, shfrytëzimi i kontrolleve të privatësisë dhe mosngacmimi i të tjerëve.
Kështu është shprehur kryetari i komunitetit “Cyber Security and Privacy”, Mentor Hoxhaj, me rastin e trajnimit të mbajtur për studentët e UBT-së, në temën “Identifikimi, reagimi dhe raportimi i ngacmimit online”, që është shënuar në kuadër të Ditës Botërore kundër dhunës ndaj gruas, organizuar nga komuniteti “Cyber Security and Privacy”, mbështetur edhe nga UBT.
Hoxhaj ka theksuar se ngacmimi online është çështje që shkakton shqetësim, pasi këto ngacmime kanë kontribuuar edhe në sjelljen e problemeve të shumta pasuese tek të rinjtë.
“Ngacmimet online po ndodhin çdo ditë. Bisedat e shkëmbyera përmes sms-ve, email-ve ose rrjeteve sociale, mund të rezultojnë në keqpërdorim. Vlen të përmendet që në disa raste, ngacmimet online kanë sjellë një numër problemesh dhe kanë shkaktuar shqetësim emocional tek adoleshentët”, vlerësoi Hoxhaj.
Krahas shqetësimit të shkaktuar direkt nga njerëzit, nivelin e rrezikshmërisë e shtojnë edhe aplikacionet e ndryshme mobile, për të cilat informacione më të detajuara dha hulumtuesi në CSP, Andin Kryeziu.
Ai tregoi se për qasje në aplikacione të ndryshme kërkohen të dhëna personale, përfshirë fotografitë, listën e kontakteve, lokacionin, etj., të dhëna të cilat shpesh rrezikohen të keqpërdoren. Ndërkaq, sipas tij, një sistem të ngjashëm e kanë edhe reklamat që na shfaqen online në baza ditore.
“Aplikacionet mobile, përmes të dhënave tona, shfaqin reklama të interesave që i marrin gjatë marrjes së të dhënave qe kemi kërkuar ne. Në bazë të interesave tona, ata shfaqin reklama të ndryshme dhe përfitojnë nga klikimet në këto reklama. Zakonisht ofrojnë një version pa pagesë, por më vonë për të pasur qasje në atë aplikacion, duhet të paguajmë”, tha Kryeziu.
Ndërkohë, hulumtuesi tjetër në CSP, Endrit Vula potencoi se hakerët mund arrijnë të kenë qasje në të dhënat e përdoruesve të internetit, ku në mesin e tyre rrezikohen të jenë edhe institucionet e vendit, andaj edhe rekomandoi shfletimin e sajteve të sigurta, si Google Chrome, Mozilla Firefox, etj.
“Sigurisht që interneti përdoret për qëllime të ndryshme. Ka raste që kemi persona të cilët njihen si hakerë, dhe që përmes metodave që shfrytëzojnë, janë të aftë të futen edhe në institucione, e në këto raste, më të rrezikuarat janë institucionet financiare”, sqaroi ai.
Në fund të trajnimit, studentët dhe të pranishmit e tjerë të interesuar bënë një sërë pyetjesh, të cilat kishin të bënin me çështje problematike me të cilat përballen të rinjtë kosovarë dhe ata nga e mbarë bota, në aspektin e ballafaqimit dhe ndalimit të ngacmimeve online, por edhe mundësive dhe opsioneve të shtimit të nivelit të sigurisë nëpër llogaritë e tyre personale në rrjete sociale.