Qendra e Karrierës në UBT, inicuese e punësimit të qindra të rinjve kosovarë

27/11/2018

Përveç ofrimit të studimeve cilësore, prej të cilave dalin të diplomuar profesionalisht të përgatitur, UBT ofron kontribut dhe ndihmë edhe për aplikim e pranim të studentëve në tregun e punës.

Tërë kjo ka bërë që, sot, shifra e studentëve e ish-studentëve të UBT-së, të cilët janë sistemuar në tregun e punës, të arrijë në mbi 90%.

Qindra studentë të UBT-së kanë arritur që të bëhen pjesë e trajnimeve, punëtorive, praktikave profesionale e vendeve të shumta të punës, falë shërbimeve të ofruara nga Qendra e Karrierës në UBT.

 

Drejtori i Qendrës së Karierrës, Halil Bashota tha se puna e një institucioni arsimor nuk duhet të përfundojë kur studentët të diplomohen, por kur ata sistemohen në tregun e punës.

“Në kohën kur në vendin tonë kemi një raport të lartë papunësie dhe një treg të dobët të punës, prioriteti i Qendrës së Karrierës, pashmangshëm mbetet punësimi i të diplomuarve dhe studentëve aktualë, që tashmë janë të gatshëm për punë. Andaj, në vazhdimësi kujdesemi që të bëjmë ndërlidhjen e tregut të punës me UBT-në, duke krijuar mundësi për studentët që me sukses të arrijnë të punësohen”, tregoi ai.

 

Bashota theksoi se pa një bashkëpunim dhe besim të ndërsjellë me kompanitë vendore e ndërkombëtare, puna e UBT-së do të mbetej vetëm në suazat e përpjekjeve.

“UBT është institucioni që ka rrjetin më të madh të partneriteteve dhe bashkëpunimeve, si në nivel vendi, ashtu dhe nivel ndërkombëtar, kjo falë programeve atraktive dhe të orientuara në kërkesat e tregut të punës, si dhe punës akademike e cilësore, në atë mënyrë që studentët arrijnë të lidhen dhe të bëhen të nevojshëm për industrinë”, potencoi ai.

 

Sipas statistikave globale, kërkesa e tregut të punës po ndryshon në mënyrë rapide dhe po bëhet gjithnjë e më shumë konkurruese, ku tashmë nuk mjafton vetëm kriteri i shkollimit, por ndërkohë po shpërfaqen më të madhe edhe kërkesat për shkathtësi të buta, përfshirë ato në komunikim, prezantim, negocim dhe shitje, pastaj njohuritë e sa më shumë gjuhëve të huaja, njohuritë dhe shkathtësitë e punës me kompjuter, si dhe certifikimet dhe trajnimet e ndryshme. Prandaj, edhe roli i Qendrës së Karrierës është i pazëvendësueshëm në shërbimet e ofruara përmes këshillimit, orientimit, informimit,  trajnimit dhe punësimit të tyre.