Rektori Hajrizi panelist në konferencën shkencore të organizuar për nder të 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit

23/11/2018

Për nder të 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit, i njohur si Kongresi i Alfabetit, në Korçë është organizuar konferenca shkencore nga Universiteti i Korçës “Fan S. Noli” në bashkëorganizim me UBT-në, UP-në, Qendrën për Studime Ballkanike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Lidhjen e Diasporës Shqiptare për Maqedoninë.

 

Panelist i kësaj konference ka qenë edhe rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi. Me këtë rast, ai e ka vlerësuar fuqinë e kongresit dhe tha se është një e arritur e madhe në atë kohë.

 

Tutje, rektori Hajrizi theksoi se Alfabeti i Gjuhës Shqipe u bë jetik për shqiptarët, siç tha ai, sepse mundësoi botimin e gazetave, librave e publikimeve të tjera, me një përparësi të madhe, që mund të lexoheshin e të kuptoheshin nga të gjithë shqiptarët, kudo ku ishin ata.

 

Rektori Hajrizi tha se vendimi final i Kongresit të Manastirit i dha shtysë të madhe Shkollës Shqipe, që tashmë kishte bërë hapat fillestarë, me vështirësi e rreziqe të mëdha.

 

“Në rrethanat e sotme, për fat të mirë, krejt të reja, krejt ndryshe dhe shumë pozitive për shqiptarët, por sidomos për shqiptarët e Kosovës, institucionet arsimore, me theks të veçantë në Kosovë, kanë njohur një zhvillim shumë të hovshëm, duke qenë profesionale dhe në nivel me institucionet më prestigjioze akademike në rajon e më gjerë. Një prej këtyre institucioneve është edhe UBT”, potencoi rektori Hajrizi.

 

Konferenca ka zhvilluar punimet në tri sesione të ndara, me ç’rast u paraqiten dhjetëra punime nga studiues të gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare.

 

Në historinë e Shqipërisë, Kongresi i Manastirit shënon një ngjarje të rëndësishme politike, kulturore, shkencore dhe arsimore për kombin shqiptar, pasi është kongresi i alfabetit kombëtar të shqipes, që u përpilua dhe u miratua prej tij, alfabeti që përdoret edhe sot.