Rektori Hajrizi pret në takim përfaqësues të USAID AGRO – Shqyrtohet mundësia për bashkëpunim

21/11/2018

Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi ka pritur në takim një delegacion nga USAID AGRO, të prirë nga udhëheqësi i këtij programi, Fatmir Selimi, me të cilët ka biseduar mbi mundësinë e bashkëpunimit në kuadër të programit.

 

Hajrizi i informoi me punën që po kryhet nga UBT, me fokus në fushën e bujqësisë, teksa tregoi se synim kryesor i aktivitetit që zhvillohet brenda institucionit është ofrimi i zgjidhjeve të shëndetshme inovative dhe me kosto të ulët, si dhe shtimi i numrit të vendeve të reja të punës në Kosovë.

Ndërkaq, përfaqësuesit e USAID-AGRO treguan për qëllimet dhe aktivitetet kryesore të programit, i cili synon nxitjen e zhvillimit ekonomik, ngritjen e kapaciteteve teknike, krijimin e vendeve të punës, adresimin çështjes së sigurisë dhe cilësisë së ushqimit, lidhjen e produkteve me tregun, etj.

 

Gjatë këtij takimi, delegacioni i USAID AGRO, nën shoqërimin e rektorit, vizituan laboratorët e UBT-së, bibliotekën dhe Poliknikën, me ç’rast edhe panë të gjitha inovacionet e krijuara nga studentët e UBT-së, të cilat gjetën zbatim tek partnerët nga industria dhe me të cilat UBT e Kosova u përfaqësuan denjësisht nëpër botë.

 

Duke e parë rëndësinë e sektorit të bujqësisë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, UBT jo vetëm që ka themeluar programin e Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë, me qëllim të përgatitjes së gjeneratave të reja të teknologëve ushqimorë, por edhe ka krijuar parcela bujqësore, të cilat do të shfrytëzohen nga studentët e UBT-së për qëllime studimi, dhe të cilat priten që brenda pak kohësh të zgjerohen dhe të nisin të shfrytëzohen për plotësim të nevojave ushqimore.