Ish-studentja Florenta Fetoshi, nga UBT në University of Sussex
15/11/2018Ish-studentja e UBT-së në Fakultetin Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Florenta Fetoshi ka arritur që pas përfundimit të studimeve bachelor të pranohet për studime master në University of Sussex të Britanisë së Madhe, dhe jo vetëm kaq, ajo vitin e parë të studimeve po e përfundon me bursë të plotë studimi, të fituar nga Konsullata Britanike në Kosovë, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.
Florenta tregoi se për të fituar bursën “Young Cell Scheme”, ka kaluar nëpër një varg procedurash, përfshirë njohuritë e përgjithshme në lëndë të caktuara, kalimi i testit IELTS dhe në fund edhe aplikimi në universitet.
Ndonëse po përjeton një periudhë të mrekullueshme në Britani të Madhe, ajo thotë se edhe në UBT ka gjetur mundësi tejet të mira studimi.
“Vitet e studimit në UBT kanë qenë shumë të mira dhe kam marrë shumë njohuri në lidhje me programin tim të studimeve. Këto njohuri më kanë ndihmuar në punë dhe tash po më ndihmojnë edhe përgjatë studimeve master në Angli”, theksoi Florenta.
Gjatë tri viteve të studimeve, ajo ka fituar edhe përvojë pune, me ç’rast ka punuar në Departamentin e Kërkimit për një kompani private me bazë në New York, si dhe ka përfunduar praktikën në Ministri të Financave, në Departamentin për Politika Ekomomike Publike dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar Financiar.