Profesori në UBT, Alban Muja do të prezantojë Kosovën në Bienalen e Venedikut për vitin 2019

09/11/2018

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe komisionerja e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut, Arta Agani, njëherësh drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës, kanë marrë vendim që artisti e ligjëruesi në UBT, Alban Muja të prezantojë Kosovën në edicionin e 58-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venedikut.

 

Në një komunikatë për media, Ministri Gashi thuhet të këtë thënë se prezantimi i Kosovës në këtë ngjarje përmes Alban Mujës, është tejet i rëndësishëm dhe se Kosova do të ketë një prezantim të suksesshëm në edicionin e vitit të ardhshëm.

 

Ministri po ashtu vlerëson pjesëmarrjen e Alban Mujës në ekspozita dhe festivale të ndryshme jashtë vendit.

 

“Artisti Alban Muja, i cili do të prezantojë Kosovën në Bienale, është emër i afirmuar edhe në skenën botërore të artit. Puna e Mujës është ekspozuar gjerësisht në festivale të ndryshme, panaire arti, ekspozita grupore dhe solo”, citohet të këtë thënë ministri Gashi.

 

Ndërkohë, profesori në UBT, Alban Muja, veç tjerash ka theksuar se është i nderuar që do ta përfaqësojë Kosovën në edicionin e 58-të të Bienales.

 

Ekspozita do të mbahet në vitin 2019, konkretisht do të fillojë punimet më 11 maj deri më 24 nëntor.