Studentët e UBT-së vizitojnë KEK-un

25/10/2018

Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Energjisë në UBT, kanë vizituar Korporatën Energjetike të Kosovës, nën shoqërimin e profesorëve në UBT, Vehebi Sofiu, Nexhmi Krasniqi dhe Faton Maloku.

 

Studentët u pritën nga kryeinxhinieri i qendrës për trajnime në KEK, Izet Hoti, i cili i njoftoi studentët me historikun e themelimit të korporatës, procesin e prodhimit të energjisë dhe pajisjet më të rëndësishme për prodhim, shifrat rekorde të arritura në prodhim të energjisë, lëndët e para që shfrytëzohen për procesin e prodhimit, nevojën për të pasur në funksion të burimeve emergjente rezervë, llojet e transformatorëve, matjen e gazrave dhe pluhurit. Pastaj, Hoti i informoi studentët edhe për transformatorin që e shndërron energjinë elektrike, për transformimin e tensionit drejt nënstacioneve të KOSTT-it, për ekosistemin për ngrohje të qytetit të Prishtinës, etj.

 

Pas ligjëratës, studentë kanë vizituar të gjitha pikat kyçe të sistemit të punës, përfshirë Bllokun 1, përkatësisht pajisjet dhe procesin e punë që kryhet në këtë njësi, pastaj sektorin e termokomandës dhe sektorin e kogjenerimit, me ç’rast për punën që kryhet në secilën pjesë morën informacione nga menaxheri i prodhimit në Termocentralin Kosova B, Sylejman Bytyçi.

Kjo bisedë ishte e rëndësishme për faktin se palët u morën vesh që në të ardhmen e afërt të lidhin marrëveshje bashkëpunimi, në mënyrë që studentët e UBT-së të kenë mundësi të bëjnë punë praktike me pagesë në KEK.