Studentët e UBT-së themelojnë byronë projektuese “Bon’ Arkitekturë”
10/10/2018Studentët e UBT-së i kanë kaluar limitet e të siguruarit të një vendi pune sepse nga UBT dalin të përgatitur kuadro që gjenerojnë punësim jo vetëm për veten, por edhe për njerëz të tjerë profesionistë.
Një nismë të tillë e kanë marrë tre studentë të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, Rudina Hoxha, Veron Tara dhe Ylberina Temaj, të cilët kanë hapur byronë e tyre projektuese, “Bon’ Arkitekturë”, me lokacion në lagjen Emshir të Prishtinës.
Përmes kësaj byroje, studentët do të sjellin një frymë të re arkitektonike në Kosovë, gjithmonë duke qenë në përshtatje të vlerave të kohës dhe të ndjekjes së trendëve të fundit botërorë në fushën e arkitekturës.
Ideja e tyre për t’i sjellë diçka të re vendit u lindi spontanisht pas punimeve grupore semestrale përgjatë viteve të studimeve, që u shoqërua me energji pozitive, për të rezultuar në fund me një bashkëpunim të ngushtë dhe nga i cili priten suksese të mëdha.
Ata treguan se përgjatë studimeve kanë qenë aktivë në projektimin e shtëpive individuale, enterierëve dhe oborreve, që pjesërisht edhe i kanë menaxhuar gjatë realizimit te tyre.
Duke fituar përvojë në këtë fushë, studentët në fjalë vendosën të hapin këtë byro projektuese, në mënyrë që aktivitetet t’i zgjerojnë edhe me tej, por tash duke projektuar dhe menaxhuar në tërësi realizimin e projekteve.
Për tërë këtë sukses, studentët, Rudina Hoxha, Veron Tara dhe Ylberina Temaj, i janë falënderues UBT-së dhe profesorëve, tek të cilët gjetën mbështetje gjatë rrugëtimit dhe përgatitjes së tyre profesionale.