UBT priti solemnisht studentët e rinj në Ferizaj dhe Gjilan

04/10/2018

Viti i ri akademik 2018/2019 për studentët e gjitha fakulteteve në UBT, do të filloj të hënën, më 8 tetor 2018, me   ç’rast paraprakisht institucioni gjatë kësaj jave ka organizuar pritjen solemne të studentëve të rinj në kampuset dhe degët e UBT-së, në Kosovë.

 

Solemnisht është bërë pritja edhe e studentëve nga rajoni i Ferizajt dhe Gjilanit. Ata janë pritur nga dekanët e fakulteteve, profesorët dhe stafi administrativ, ku janë informuar hollësisht për mundësitë e shumta që ofrohen nga UBT-ja.

Drejtori për Çështje Akademike në UBT, Valmir Hoxha, u tregoi studentëve standardet me të cilat institucioni punon, si dhe praktikat vendore e ndërkombëtare që institucioni i ka sjellë për të zhvilluar mësim modern.

 

“UBT është e përkushtuar që t’ju ofrojë dije dhe mundësi të shumta, në mënyrë që një ditë ju t’i  shërbeni komunitetit me dijen e fituar gjatë studimeve. UBT vazhdon të jetë institucioni më kredibil i arsimit të lartë në Kosovë, si dhe është i pasuruar me laboratorë shkencorë dhe ka staf vendor e ndërkombëtar”, potencoi Hoxha.

 

 

Në kampuset e UBT-së, në Kosovë, janë organizuar salla informuese për secilin fakultet, në të cilat studentët e rinj po informohen rreth programeve që kanë zgjedhur të studiojnë.