Studentët e Farmacisë në UBT, përfitojnë bursë nga programi CEEPUS

16/08/2018

Programi i mobilitetit CEEPUS (program evropian për shkëmbime në studime universitare) u ka mundësuar studentëve të dalluar të Fakultetit të Farmacisë në UBT, Skënder Radoniqi dhe Qëndresa Spahiu, të përfitojnë bursë për qëndrim një muaj në Austri, me qëllim të përfundimit të hulumtimit shkencor dhe grumbullimin e rezultateve për temat e tyre të diplomës.

 

Ata do të qëndrojnë në Universitetin “Karl-Franzens”, në Graz të Austrisë, konkretisht në Institutin e Kimisë Analitike, që gjendet në këtë institucion.

 

Studentët do ti kryejnë hulumtimet në këtë shtet nën mentorimin e ligjërueses dhe koordinatores së Fakultetit të Farmacisë në UBT, Dr. Eda Mehmeti.

 

UBT është i vetmi institucion privat i arsimit të lartë në Kosovë, që është anëtar me të drejta të plota në programin CEEPUS.

 

Ky program u mundëson studentëve të përfitojnë përvojë ndërkombëtare, teksa në kuadër të Programit CEEPUS, UBT është partnere në disa rrjete bashkëpunimi me universitete të rajonit dhe të BE-së, përmes të cilave mundësohet mobiliteti dhe shkëmbimi i studentëve e stafit akademik.