Ish-studentja e UBT-së, projektuese e Qendrës për edukim joformal të të rinjve

14/08/2018

Në Pjetërshtan të Gjakovës ka filluar ndërtimi i Qendrës për edukim joformal për të rinjtë, si dhe qendër rekreative për fëmijë “Regreeneration”, projekt i cili është hartuar dhe projektuar nga ish-studentja e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, Jeta Bejtullahu, e cila tash e pesë vite ka themeluar studion e saj projektuese “FormaDDM”.

Në këtë projekt kapital të ndihmuar nga Ministria e Kulturës, RInisë dhe Sportit, ish-studentja ka qenë arkitektja kryesore ku ka zhvilluar konceptin përmes tri komponentëve: ambienti, komuniteti i të rinjve dhe aktivitetet rekreative.

Bejtullahu ka thënë se ka projektuar një hapësirë multifunksionale që ofron kushte të mira për zhvillimin e aktiviteteve të të rinjve dhe edukimin e tyre të mëtejmë.

“Projekti është hartuar duke u bazuar në bashkëveprimin e mjedisit natyror, ku përfshinë sipërfaqe të hapur për aktivitete rekreative në natyrë dhe sipërfaqe gjelbëruese, të tilla si: fushë sporti mikse, fushë volejbolli në rërë, mini-golf, shtigje për ecje dhe për vrapim, trajnim për gjuajtje me shigjeta, hapësirë për kamping, amfiteatër i hapur, mur për ngjitje, hortikulturë (bletari, shtëpi të gjelbërta, kopshtari) dhe mjedisit të ndërtuar, i cili përfshinë edhe 3 pavijone të fjetjes (akomodim)”, ka treguar Bejtuallahu.

Kjo qendër do të shndërrohet në një kamp i modelit amerikan, teksa karakterizohet me hapësira të veçanta për organizimin e trajnimeve të ndryshme me qëllim të aftësimit të rinisë në ndërmarrësi, inovacion, sport etj.

Gjatë studimeve në UBT, Jeta Bejtuallahu ka qenë përfituese e disa bursave nga programi i mobilitetit CEEPUS në Universitetin Teknik në Ceki, në Universitetin Politeknik të Shubenikut, në Kroaci, si dhe në Universitetin Teknik të Krakovës, në Poloni.

Në vitin 2017, së bashku me Ilirjana Haxhiaj morën çmimin laureate nga “Future Architecture Platform” me projektin “Redevelopment of social housing infrastructure in Gjakova”, ku u renditën në pozitën e katërt nga dhjetë projektet më të mira.