Studenti i UBT-së, Emin Emini ligjërues në aktivitetin “Girls Coding Kosova”

13/08/2018

Studenti i Fakultetit Shkenca kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, Emin Emini me ftesë të organizatorëve ka marrë pjesë si folës në aktivitetin “Girls Coding Kosova”,  organizuar nga Organizata për Fuqizimin e Grave në Teknologji dhe Inovatorët e Arsimit të Kosovës (EIK), aktivitet i cili është mbajtur në Mitrovicë.

Ai ka trajtuar temën “Formula e Suksesit”, ku tha se ndjekja e arsimit të lartë në fushën e teknologjisë dhe disiplinave të lidhura me të do të rriste potencialin që gratë të ishin të suksesshme në industrinë e IT-së.

Studenti Emini ka thënë se janë të shumta rastet kur gratë heqin dorë nga karriera e tyre sepse nuk i ofrohet inkurajim ose mbështetja e duhur dhe shpesh atyre u imponohet që të ndjekin studimet për një profesion më të lehtë, siç thuhet, që i përshtat një gruaje. Por, ai konsideron që për të pasur sukses fillimisht duhet të zgjedhësh profesionin e ëndrrave, të besosh, ta duash dhe të punosh në atë drejtim

“Për të parë se sa e civilizuar është një kulturë, atëherë duhet të shikohet se si ata i trajtojnë gratë e tyre”, theksoi Emini.

“Girls Coding Kosova” është mision që synon të inkurajojë gratë që të arrijnë potencialin e tyre të plotë akademik dhe profesional në fushat teknike. GCK po punon vazhdimisht në inkurajimin e grave që të kodojnë, të nisin kompanitë ose të punojnë si zhvillues.