Rreth 300 studentë të UBT-së, pjesë e universiteteve me të njohura në botë

10/08/2018

UBT vazhdon të mbetet lider i ndërkombëtarizimit në Kosovë, institucion i cili ofron studime të përbashkëta, bursa dhe projekte si ERASMUS + dhe CEPUS.

Falë marrëveshjeve të bashkëpunimit që UBT ka me mbi 300 universitete të ndryshme të Evropës e botës, qindra studentëve u mundësohet të bëhen pjesë e universiteteve më prestigjioze në botë.

Në mesin e shumë studentëve që fituan bursë për t’i ndjekur studimet për një semestër të vitit akademik janë edhe Vesa Morina e Shqipe Sejdiu.

Studentet në fjalë këtyre ditëve janë kthyer nga Universiteti i Portugalisë, “NOVA de Lisboa”, ku kanë ndjekur studimet për një semestër të vitit akademik në këtë universitet.

Studentja Vesa Morina është shprehur e lumtur dhe e privilegjuar që ka përjetuar një përvojë të re në studime jashtë vendit dhe tha se kjo mundësi ka qenë ndër përvojat më të mira që ka përjetuar deri më tani.

“Kam mësuar shumë lidhur me profesionin, gjithashtu kam takuar shumë studentë të kombësive të ndryshme”, theksoi ajo.

Teksa, studentja Sejdiu, duke e ndarë përvojën e saj, shtoi se UBT është vend i mundësive për studentët e rinj që dëshirojnë të ndërtojnë një karrierë të suksesshme.

Aktualisht, UBT ka rreth 300 studentë që janë duke vazhduar studimet nëpër universitetet më të njohura evropiane.

Të gjithë studentët të cilët shprehin dëshirë të bëhen pjesë e UBT-së në të gjitha nivelet e studimeve, kanë mundësinë që automatikisht t’i vazhdojnë studimet jashtë vendit, në universitetet më prestigjioze në Evropë dhe nëpër vendet tjera të botës.