UBT përgatit ekipin përfaqësues të Kosovës në FIRST Global Challenge

02/08/2018

Ekipi që do ta përfaqësojë Kosovën në garën ndërkombëtare, “FIRST Global Challenge”, i udhëhequr nga UBT, po vijon përgatitjet finale për pjesëmarrje në këtë garë, por që për shkak të problemeve politike, ende nuk ka përfunduar procedura për marrjen e vizave, duke qenë se organizimi do të bëhet në Meksikë.

Gara e sivjetme do të mbahet më 15-18 gusht, ndërkaq tematika e garës ndërlidhet me çështjen e përfitimit të energjisë elektrike, si një temë e diskutuar globalisht dhe që ndikon drejtpërsëdrejti në mirëqenien e njerëzimit.
Në sfidën e këtij viti, Kosova do të përfaqësohet nga nxënësit, Elita Hajrizi, Raesa Nikshiqi, Ardi Loxha dhe Albana Hajdini, të cilët po punojnë në laboratorët e mekatronikës, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të stafit akademik të UBT-së, me të cilët po e ndërtojnë robotin garues në FIRST Global.

FIRST Global Challenge është themeluar nga Dean Camen, i cili është shpikës i njohur botërisht, e ndër shpikjet e tij më të suksesshme konsiderohet të jetë “Segway”.
Vitin e kaluar, qindra të rinj nga 150 shtete të botës, garuan në Uashington, me robotët e ndërtuar prej tyre.
Qëllimi i garës është vetëdijesimi dhe rritja e interesimit tek të rinjtë e mbarë botës për shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (ang: STEM ose Science, Technology, Engineering and Mathematics).