Në ANV-në e Shkencave të Ushqimit ligjërohet për gjenetikën e drithrave dhe implikimet shëndetësore të akrilamideve në ushqime

24/07/2018

Akademia Ndërkombëtare Verore e Shkencave të Ushqimit ka vijuar punimet me ligjëratën e profesorit të Universitetit të Prishtinës, prof.dr Salih Salihu, i cili ka ligjëruar temën: “Përmirësimi gjenetik dhe përpunimi i drithërave”.

Gjatë kësaj ligjërate, profesor Salihu u ka treguar pjesëmarrësve lidhur me rëndësinë e përmirësimit gjenetik të drithërave, qëllimet e selektimit të tipareve që shtojnë kualitetin e drithërave dhe grurit, në kushtet klimatike të vendit, duke paraqitur rastin e krijimit të kultivarit të cilin vetë e ka përmirësuar gjenetikisht.

Tutje, ai foli edhe për përpunimin e drithërave, ku tha se në muajt në vazhdim ky proces do të pësojë ndryshime sidomos përpunimi i miellit dhe prodhimi i bukës.

Në sesionin e pasdites, për herë të parë në Kosovë, në ANV-në e Shkencave të Ushqimet është ligjëruar tema: “Implikimet shëndetësore të akrilamideve në ushqime”, nga ligjëruesit në UBT, Gafurr Xhabiri dhe Hyrie Koraqi.

Ata kanë diskutuar për standardet apo nivelin e lejuar, për rrezikun dhe efektet shëndetësore të kësaj toksine. Po ashtu, ata theksuan rëndësinë e trajtimit të toksinës në teknologjinë e ushqimit, për të cilën thanë se studentët do ta praktikojnë gjatë punës praktike në UBT.