Nisi ANV-ja e Turizmit të Qëndrueshëm, vihet në pah nevoja për ekspertë të kësaj fushe

19/07/2018

Ka nisur punimet ANV-ja e Turizmit të Qëndrueshëm, pjesë e të cilës ishin dhjetëra studentë të interesuar, për shkak të mungesës së ekspertëve të kësaj fushe në Kosovë.

Hapjen e akademisë e bëri rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, i cili para pjesëmarrësve e vuri në pah rëndësinë e ndjekjes së një shkolle të tillë, për faktin që në vend mungon ekspertiza e nevojshme për menaxhim dhezhvillim të duhur të turizmit.
“Kosova ka potencial për zhvillim, ka mundësi për punësim dhe zhvillim të turizmit, por nuk ka njerëz që janë ekspertë të kësaj fushe dhe që dinë të udhëheqin me këtë sektor, prandaj edhe është me rëndësi jetike marrja e njohurive dhe marrja në dorë e procesit”, vlerësoi Hajrizi.

Përfaqësuesi nga Ministria Tregtisë dhe Industrisë, Hysen Sogojeva ligjëroi temën më titull: “Trendët e turizmit në hotelieri dhe turizëm dhe trendët e zhvillimit të tyre në Kosovë”, me ç’rast tregoi për ndikimin institucional në ambientin e zhvillimit të turizmit në vend, fuqizimi i koncept dokumentit për përmirësimin e legjislacionit në fushën e turizmit, si dhe lehtësirat që i ka bërë shteti për investitorët vendorë dhe të huaj në turizmin e Kosovës.

Ligjëruesi në UBT, prof. dr Nexhat Balaj ligjëratën që e trajtoi e fokusoi në temën: “Biodiversiteti, ekuilibri i lashtë i natyrës – Ekoturizmi në Kosovë”.
Ai ligjëroi nivelin e zhvillimit të ekoturizmit në Kosovë, destinacionet e ekoturizmit dhe zonat e mbrojtura në vend, që kanë rëndësi për zhvillimin e turizmit në Kosovë.

ANV-ja e Turizmit do të vazhdojë punimet edhe sot, me fillim nga ora 10:00.