Komandanti i KFOR-it certifikon studentët e ANV-së së Shkencave Politike

19/07/2018

Me një ceremoni të veçantë dhe në praninë e dhjetëra pjesëmarrësve u përmbyll Akademia Ndërkombëtare Verore e Shkencave Politike, madhështinë e së cilës e shtoi edhe më shumë prania e delegacionit të KFOR-it, i kryesuar nga komandanti, Major Gjeneral, Salvatore Cuoci, i cili edhe i ndau certifikatat e pjesëmarrjes për studentët që morën pjesë në këtë akademi.

I lumtur për këtë përfundim dinjitoz të akademisë, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se kjo është hera e dytë që UBT po bashkëpunon me KFOR-in për organizimin e kësaj akademie, teksa u shpreh i bindur që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në vitet në vijim.
“Ne po mundohemi tërë kohën që t’i bëjmë të vetëdijeshëm të rinjtë tanë mbi rëndësinë e të ardhmes dhe ndërtimit të paqes. Megjithatë, aktiviteti ynë gjatë kësaj akademie do të vazhdojë edhe me fusha të tjera, pasi në UBT janë duke u zhvilluar e do të zhvillohen edhe 20 sosh”, theksoi Hajrizi.

Komandanti i KFOR-it, Major Gjeneral Salvatore Cuoci tha se eprorët që u kanë ligjëruar pjesëmarrësve janë të klasit të parë dhe se ata janë shumë me fat që kanë pasur mundësi të marrin njohuri më të thella prej tyre.
“Është e shumë e rëndësishme ta kuptoni mënyrën sesi NATO-ja punon, sepse Kosova ka qëllim të jetë pjesë e saj në një të ardhme. Ju jeni e ardhmja e Kosovës, andaj duhet të jeni të përgatitur”, ishin fjalët me të cilat komandanti Cuoci iu drejtua studentëve pjesëmarrës.

Ish-gjenerali i NATO-s dhe anëtari i Fondancionit të Kolegjit të Mbrojtjes të NATO-s, Giuseppe Morabito vlerësoi se kjo akademi e ka arritur efektin dhe ka përfunduar në mënyrën më të mirë të mundshë.
“Punëtoria ka qenë një lloj simulimi për studentët, për të parë mënyrën se si ambasadorët e vendeve të Këshillit Veriatlantik mbajnë mbledhje dhe marrin vendime kur ndodh diçka nëpër zonat që janë nën përgjegjësinë e NATO-s”, tregoi ai.

Aktiviteti i ANV-së së Shkencave Politike u mbyll me ndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit, të cilët u ndanë të kënaqur nga ky organizim dhe u shprehën të gatshëm që këto njohuri t’i shfrytëzojnë kurdo nëpër konferenca e punëtori për ndërtimin e paqes.