Fillon aktiviteti i Mekatronikës në ANV, ligjëron profesori Xhemajl Mehmeti

18/07/2018

Fakulteti i Mekatronikës në UBT, ka filluar punimet me aktivitete e ligjërata në kuadër të Akademisë Ndërkombëtare Verore, ku përgjatë gjashtë ditëve do të ligjërojnë ekspertë të fushës përkatëse, si nga vendi ashtu edhe nga bota.

Hapjen e këtij aktiviteti e ka bërë ligjëruesi në UBT, Xhemajl Mehmeti, ku është fokusuar në temën: “Struktura Mekanike e Automjeteve”, i cili u ka shpjeguar pjesëmarrësve krahasimin e automjeteve klasike me ato elektrike.

Ai për pjesëmarrësit ka prezantuar koncepte themelore të ndërtimit të automjeteve, po ashtu për dinamikën e automjeteve dhe për sistemet e automjeteve elektrike.
Profesor Xhemajli ka folur edhe për ndikimin që aktualisht automjetet elektrike kanë në zvogëlimin e ndotjes së ambientit.

Sot, më 5 korrik, në kuadër të akademisë së këtij fakulteti, do të ligjërojë profesori i Universitetit Teknik të Vjenës, Felix Breitenecker, i cili njihet botërisht për simulime.