UBT, pjesë organizative e festimit të 242 vjetorit të Pavarësisë së ShBA-ve
18/07/2018Shoqata “Miqtë e Amerikës” në bashkëpunim me UBT-në dhe FSK-në kanë organizuar një sërë aktivitetesh në sheshin “Bill Clinton” në Prishtinë, në nder të festimit të 242 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Fillimisht kori i grave “Nexhmije Pagarusha” performoi këngë kushtuar kësaj dite, derisa garda ceremoniale e FSK-së e ngriti flamurin amerikan, për të vazhduar me dhurimin e kartolinave të punuara enkas për 4 korrik dhe dhurimin e një sasie lëngjeve donacion nga kompania “Fluidi” në Gjilan.
Këto kartartolina dhe lëngje u dhuruan qytetarëve të rastit, teksa një sasi kartolinash u janë dërguar edhe ushtarëve amerikanë në Kampin Ushtarak “Bondsteel”.
Në Kosovë, 4 korriku festohet me emocione të veçanta nga populli i Kosovës, kjo për faktin se ShBA-të ishin faktori kryesor që çuan në ndërhyrjen e NATO-s gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999.