Aktiviteti i SHKI-në në ANV nis me tema interesante e ligjërues ndërkombëtarë dhe nga industria vendore

18/07/2018

 

Sot ka filluar aktivitetin e vet në kuadër të ANV-së edhe fusha e Shkencave kompjuterike dhe Inxhinierisë, si një ndër shkollat që ka mbledhur me së shumti pjesëmarrës në secilin edicion, duke përfshirë edhe edicionin e sivjetmë.

Për të treguar mbi rëndësinë e një aktiviteti të tillë, aktivitetet që do të zhvillohen dhe profesorët që do të ligjërojnë, para pjesëmarrësve folën drejtori për Çështje Akademike në UBT, Valmir Hoxha, ligjëruesit e asistentët, Edmond Jahjaga, Diellza Berisha, Lavdim Menxhiqi dhe Atdhe Buja, si dhe profesori nga Universiteti për Teknologji i Vjenës, dr Felix Breitenesker. Ndërkaq, aktiviteti nisi me ligjëratën e profesorit, dr Felix Breitenesker nga Universiteti për Teknologji i Vjenës, i cili trajtoi temën: “Simulimi dhe Vizualizimi”, për të vazhduar atë me ligjëratën e përfaqësuesve të kompanisë FRAKTON, të cilët ligjëruan për temën: “Zhvillimi i Aplikacioneve për Celularë”.

Në këtë edicion, që është i shtati, ANV-ja e Shkencave kompjuterike dhe Inxhinierisë do të ketë ligjërata, punëtori e aktivitete të shumta, të cilat do të mbahen nga profesorë dhe ekspertë me renome në vend dhe botë, përfshirë dr Felix Breitenesker nga Universiteti për Teknologji i Vjenës, dr Philip Polstra dhe Scot Inch nga Universiteti Bloomsburg i Pensilvanisë dhe Akihiko Mutoh, këshillues ekzekutiv i i-Learning C, njëherësh edhe ligjërues në Waseda University.

ANV-ja e SHKI-së do të vazhdojë punimet nesër, me fillim nga ora 11:00, me ligjëruesit dhe temat e njëjta.