Në UBT filloi punimet punëtoria “UPSHIFT”

28/06/2018

Në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, ka filluar punimet punëtoria “UPSHIFT: Social Impact Workshop”, organizuar nga UBT dhe UNICEF Innovations Lab Kosovo, ku po marrin pjesë shumë studentë të UBT-së, të ndarë në 10 grupe.
Kjo punëtori do të zgjasë tri ditë, teksa përgjatë këtyre ditëve do të zhvillohen projektet e ideuar nga studentët, projekte të cilat kanë për qëllim identifikim e problemeve dhe metodave të shumta inovative për të zgjidhur probleme të ndryshme sociale.

Bejtush Ademi, koordinator i Qendrës së Inovacionit “Colibri”, në UBT, tregoi se kjo punëtori është një model që po zbatohet në Kosovë, i cili është hartuar nga ekspertë ndërkombëtarë veçanërisht për të rinjtë me ide inovative.
Tutje, ai tha punëtoria ka shumë rendësi sepse sjellë mundësi të reja për studentët, të cilët mund të kontribuojnë në ndryshimet sociale pozitive përmes talenteve të tyre, por edhe për të fituar aftësi dhe përvoja të reja për të ndihmuar të ardhmen e tyre.

Jeton Siqeca, përfaqësues nga Innovations Lab Kosovo, theksoi se kjo punëtori është një shans që studentët t’i zgjerojnë idetë e tyre me projekte praktike, derisa i inkurajoi studentët që të punojnë dhe të zhvillohen profesionalisht.

Në punëtorinë “UPSHIFT”, dhjetë ekipe do të konkurrojnë për tri projektet më të mira, ato do të sponsorizohen fillimisht me një kosto prej 2 mijë eurove, me qëllim të jetësimit të këtyre ideve.