UBT pasuron DokuTech-in me prezantimin e projekteve teknologjike inovative

28/06/2018

Si institucion arsimor që i ka paraprirë ndryshimeve dhe inovacioneve teknologjike në Kosovë, me ftesë të organizatorëve, UBT ishte pjesë e organizimit “DokuTech”, ku prezantuan disa projekte të studentëve të Mekatronikës në UBT.

 

Gjatë këtij aktiviteti u prezantua teknologjia e Realitetit Virtual dhe ndërlidhja e saj me robotikën.


Në ditën e parë u prezantua një robot i ndërtuar nga pajisjet elektronike të ricikluara, qëllimi i të cilit është implementimi i kontrollit përmes teknologjisë së Realitetit Virtual. Po ashtu, u prezantua edhe Beggar Robot apo Roboti Lypsar, i ndërtuar nga studentët e UBT-së, përmes shfrytëzimit të pajisjeve elektronike të ricikluara.

Në ditën e dytë u prezantua koncepti mbi shtëpitë e mençura apo “Smart House”, ku përveç dizajnit dhe projektimit të pjesës elektronike dhe mekanike, studentët krijuan edhe një aplikacion në platformën Android.
Me anë të këtij aplikacioni përdoruesit do t’i lejohet kontrolli dhe monitorimi i shumë aktiviteteve në shtëpi, si kontrollimi i dritave, monitorimi i temperaturës dhe shpenzimeve elektrike, kontrollimi i sistemit të ujitjes, hapja dhe mbyllja e dyerve në formë automatike, etj.

Këto projekte inovative të ndërtuara nga studentët e UBT-së u pritën me shumë entuziazëm nga të pranishmit në DokuTech dhe u konsideruan si prurje të papara ndonjëherë në Kosovë.