Studentët e UBT-së ideojnë projekte të veçanta arkitektonike
14/06/2018Sistemi i të studiuarit në UBT përfshin realizim të projekteve që kanë zbatim në jetën e përditshme, në mënyrë që të njëjtat të shfrytëzohen për përmirësimin e nivelit të jetës së qytetarëve.
Një nismë me qëllim të tillë është realizuar nga studentët e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, në kuadër të lëndës “Studio Dizajn 2 “, me ligjërues Arbër Sadikin.
Në kuadër të kësaj lënde, studentët e ndarë në grupe kanë zhvilluar punën e tyre semestrale origjinale që konsiston në zhvillimin e një koncepti arkitektonik, duke filluar nga ideimi, identifikimi dhe formulimi i problemeve, analizës, diskutimit, ngritjes së konceptit dhe zhvillimit të tij në projekt arkitektonik ideor, duke pasur si fokus kryesor gjenerativ personalitetin e artistit ndërkombëtar, Bekim Fehmiu.
Në kuadër të këtij projekti janë ideuar qendra memoriale, qendra kulturore, pavijone etj.
Lokacioni i këtyre projekteve është paraparë të jetë në rrugën “Agim Ramadani”, në Prishtinë.
Parcela kufizohet me zonën historike të qytetit, në peizazhin e së cilës marrin pjesë objekte të rëndësishme historike, si: Xhamia e Gurit (Tash Xhamia), Xhamia e Jashar Pashës, godina e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sheshi “Ibrahim Rugova”, etj.