Arkitektët nga Roterdami e ndajnë përvojën ndërkombëtare me studentët e UBT-së

05/04/2018

 

Arkitektët e mirënjohur nga Roterdami i Holandës, Hana Marisa Mohar dhe Frane Stancic, kanë vizituar UBT-në, me ftesën e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, përkatësisht, ligjëruesit në këtë fakultet, prof. dr Ajhan Bajmaku.

 

Ata kanë mbajtur ligjërata tematike, tryezë diskutimi dhe një punëtori mbi të përgatiturit e portfolios, duke e ndarë me studentë përvojën e tyre profesionale përgjatë viteve.

 

Arkitektja Hana Marisa Mohar shpjegoi metodologjinë dhe qasjen akademike të TU Delft, si dhe mbajti ligjëratën më titull: “Argumenti konsistent”, me ç’rast dha detaje mbi mënyrat e të punuarit, të përcjellë edhe me shembuj të procesit të dizajnimit.

 

Në anën tjetër, arkitekti i MVRDV-së, Frane Stancic, ofroi një pasqyrë mbi të qenit arkitekt dhe të ushtruarit të këtij profesioni në qytetin e Roterdamit, ku ndodhen zyre të mëdha të arkitekturës dhe në mjedis ndërkombëtar.

 

Në pjesën e dytë të takimit me studentë, ata mbajtën një punëtori, me ç’rast dhanë informacione mbi kërkesat aktuale të byrove të arkitekturës kur duan të punësojnë arkitektë, si dhe studentët prezantuan para tyre portfoliot, që u rishikuan nga dy arkitektët dhe u dhanë udhëzime e përvojë ndërkombëtare praktike mbi realizimin e tyre.