Studentët e Medias dhe Komunikimit realizojnë punime mbi tema që po diskutohen në nivel global
22/02/2018
Studentët e nivelit master në Fakultetin Media dhe Komunikim, në UBT, përgjatë një semestri kanë studiuar, e më pas edhe realizuar punime ku kanë trajtuar tema të shumta dhe aktuale në fushën e mediave.
Punimet janë realizuar në kuadër të lëndëve, “Media në epokën digjitale” dhe “Gazetari dhe raportim”, të ligjëruara nga profesorët, prof.dr Edmond Hajrizi, Adnan Merovci dhe Ferid Selimi.
Studentët trajtuan tema të shumta, përfshirë: “Konvergjencën e mediave”, “Lajmet e rrejshme dhe mediat e reja online”, “Intervista dhe llojet e pyetjeve”, “Rregullimi dhe vetrregullimi i mediave në Kosovë”, “Ndikimi i mediave digjitale dhe të shkruara tek fëmijët”, “Digjitalizimi në Kosovë”, “Mediat – interneti dhe rrjetet sociale në Kosovë”, “Roli diplomatik i mediave sociale; Rasti SHBA-Koreja Veriore”, “Besueshmëria në mediat online” etj., si tema që tash janë duke i pushtuar debatet në nivel global në rrafshin medial.
Duke folur për punimet e studentëve, ligjëruesi i lëndës, Adnan Merovci, tha se këto punime kanë vlerë të veçantë për faktin se janë punuar profesionalisht.
Ai vlerësoi se UBT është institucioni më i kompletuari në vend dhe rajon për studime në këto fusha.
“Studentët e nivelit master zhvilluan punime me temës të përzgjedhura nga vetë ata, të cilat ishin shumë interesante dhe provokuan kërshërinë e të pranishmëve”, tha Merovci.
Teksa, dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim, në UBT, prof.dr Ferid Selimi tregoi se punimet në fjalë janë punuar me përkushtim të madh, me anë të të cilave sipas tij, studentët do të kontribuojnë në fushën e medias në përgjithësi.
“Studentët gjatë prezantimit të punimeve hulumtuese treguan seriozitet. Punimet që i kanë hulumtuar dhe punuar, janë bërë sipas standardeve dhe rregullave të shkrimit akademik, punime të cilat mund të publikohen në ndonjë revistë shkencore”, tregoi ai.
Programi i Medias dhe Komunikimit në UBT, ofron specializimet më të veçanta në vend: Komunikimi Politik dhe Mediat Digjitale, specializime ku janë të vetmet e këtij lloji në vend.