Në UBT diskutohet për miratimin e Projektligjit për Energji Efiçiente, garanton vende të reja të punës
08/02/2018Në UBT është mbajtur konferenca në të cilën është diskutuar rreth projektligjit për energjinë efiçiente, proces i cili është edhe kriter për integrimin e Kosovës në BE.
Si rezultat i kësaj, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi ka thënë se energjia është temë e rëndësishme për vendin, andaj sipas tij, duhet t’i kushtohet rëndësi e veçantë dhe se duhet të përcjellën trendët e shteteve në zhvillim për implementim të suksesshëm të ligjeve që hartohen.
“UBT ka edhe Fakultetin për Energji Efiçiente, në të cilën trajtohen tematika të ndryshme rreth kësaj fushe. Forumi është një koment ku ne reflektojmë nga përvojën tona, nga studimet tona. Kemi strategji të shumta, kemi zhvillime dhe projekte interesante, por kemi edhe shumë për të bë për efiçiencë. Ligji është në zhvillim, këtë ligj do ta trajtojmë si çështje”, ka thënë rektori Hajrizi, duke shtuar se si temë ka lidhje me tematikat e integrimeve evropiane.
Në këtë konferencë i pranishëm ishte edhe këshilltari në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Halit Hoxhaj, ku tha se si projektligj ka qenë në plan të kalojë qysh në tetorin e vitit të kaluar, por se nga raportet është konstatuar se ka mungesë të resurseve humane.
“Të gjitha komunat duhet të kenë zyre komunale për efiçiencë dhe se duhet të ketë auditor të certifikuar, e mbi të gjitha sektori provat duhet të ketë konsulent të prezantojnë projekte e të përfitojnë fonde që ofrohen nga sektori”, ka thënë Hoxhaj, duke treguar se Korniza ligjore e menaxhimit të financave është konsultative. Të gjithë donatorët kanë kërkuar një institucion që është jashtë kornizave.
Ligjëruesja në UBT, Pranvera Dobruna ka theksuar se projektligji në fjalë është i kompletuar dhe se veç tjerash, ofron edhe shumë vende të reja të punës.
“Shumë studentë ose kuadro do të përgatiten profesionalisht sepse ky proces do të ofrojë shumë vende të reja të punës. Është një ligj mjaft komplet dhe mjaft mirë i ka adresuar të gjitha çështjet”, tha ajo.
Ligji për Efiçiencë të Energjisë, rregullon dhe përgatit aprovimin e planeve për efiçiencë dhe masat e energjisë, njëherësh edhe obligimet e sektorit publik, si dhe themelimin e institucioneve përkatëse për implementimin e masave e efiçiencës së energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit, nëpërmjet stimulimit të reduktimit të konsumit të energjisë.