Mbi 95 për qind e adoleshentëve kanë qasje në internet, diskutohet për mbrojtjen e tyre nga efektet negative

06/02/2018

Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi ka marrë pjesë në forumin “Dita e Internetit të Sigurt” organizuar nga Qendra për Arsim e Kosovës në bashkëpunim me Qendrën për Studime të Avancuara, në të cilën kanë diskutuar për adresimin e dhunës përmes internetit në shkolla.

 

Me këtë rast, rektori Hajrizi ka thënë se vendet e vogla siç është Kosova, duhet të ketë bashkëpunim me palët e interesit në mënyrë që efektet negative nga përdorimi i internetit të jenë  minimale.

 

Sipas tij, kosovarët janë të parët në Evropë për sa i përket përdorimit të internetit dhe kjo sipas tij, do të paraqet probleme të shumta ngaqë përdoruesit nuk kanë edukim të mirëfilltë në për përdorimin e rrjeteve sociale dhe pajisjeve tjera digjitale.

 

Tutje, ai theksoi se UBT ka shkollën më të madhe për shkenca kompjuterike, ku po i trajnon studentët në këtë fushë dhe po i zhvillon në hap me trendët e botës.

 

“UBT është e përkushtuar që të krijojë kuadro dhe hekerë etik që ndihmojnë në identifikimin e sulmeve kibernetike ose keqpërdorimeve në internet. Aktualisht, UBT ka krijuar CERT-in që bashkëpunon me shumë vende të botës, me të cilët edhe shkëmben informacione për sulme të llojllojshme që bëhen në internet”, ka thënë rektori Hajrizi.

 

Petrit Tahiri nga Qendra për Arsim në Kosovë (KEC), ka thënë se mbi 88 për qind e ekonomive familjare kanë qasje në internet, ku sipas tij, këto statistika paraqesin një rrezik të madh.

“97 për qind e fëmijëve të anketuar janë përdorues të internetit. 87 për qind e tyre përdorin telefonin celular për t’u kyçur në internet. 26 për qind e fëmijëve kanë deklaruar se kanë parë përmbajte pornografike.88.8 për qind të ekonomive familjare kanë qasje në internet. 97 për qind e adoleshentëve të anketuar janë përdorues të internetit dhe 87 për qind e adoleshentëve e përdorin celularin për tu kyçur në internet. 26 për qind e adoleshentëve kanë deklaruar se kanë parë përmbajtje pornografike prej të cilave 10 për qind kanë parë çdo dite pamje të tilla”, ka thënë Tahiri, duke treguar se 18 për qind e adoleshentëve e kanë pohuar se zihen në shkollë me shokët e shoqet për atë se çfarë ka ndodhur paraprakisht në internet.

 

Zëvendësministri në Ministrinë e Arsimit, Heset Sahiti tha bërë të ditur se është hartuar pakoja e udhëzimit të përdorimit të internetit. Sipas tij, hartimi i pakos ka për qëllim që nxënësit të kenë  qasje dhe mundësi për të përfituar nga përmbajtët që ofrohen.

“Që nga 2014 kemi iniciuar aktivitete për mbrojtjen e fëmijëve në internet. Ne do të angazhohemi që fëmijët të arrijnë potencialin e tyre në mënyrë që të përdorin sa më sigurt internetin. MAShT do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjithë akterët në mënyrë që të kemi rezultate të dëshirueshme”, tha Sahiti.

 

James Mugaju, zëvendësshef i zyrës së Unicef-it për Kosovën, tha se duhet të punohet me fëmijë  në mënyrë që ata të maksimizojnë benifitet e internetit. Tutje, ai tregoi se nga statistikat aktuale fëmijët e shfrytëzojnë internetin vetëm për të luajtur lojëra, që shumë prej tyre kanë përmbajtje të rrezikshme.

“Duhet të punojmë bashkë dhe të bëjmë internetin të sigurt për çdo fëmijë sepse fëmijët tash për tash po e përdorin internetin vetëm për tu lidhur më të tjerët ose për lojëra të ndryshme”, tha ai.

 

Ndërsa, Teuta Zymberi nga Qendra për Studime të Avancuara (FIT), ka theksuar se edukatorët dhe mësimdhënësit në shkolla por edhe prindërit duhet t’i mbikëqyrin fëmijët për gjërat që shohin në internet.

“Edhe institucionet e Kosovë në bashkëpunim me palët tjera përkatëse duhet të garantojnë siguri për fëmijët në botën online”, tha ajo.

 

Mentor Hoxhaj, ligjërues në UBT, ka treguar se shumica e aplikacionet kanë qasje në të dhënat e përdoruesve, ku sipas tij, llogaritë në rrjetet sociale shumë lehtë mund të thyhen dhe të dhënat të keqpërdoren.

“Kemi realizuar mbi 200 aplikacione me studentët e UBT-së, sa i përket sigurisë. 68 për qind e aplikacioneve kanë qasje në kamerë. Të gjitha kontaktet tuaja merren nga aplikacioni. 68 për qind e aplikacioneve kanë qasje në lokacion. Mos ruani foto dhe video në snapchat sepse llogaria shumë lehtë mund të thyhet dhe të dhënat tuaja të keqpërdoren. Aplikacionet dinë më shumë sesa ne për vetveten. Facebooku por edhe snapchat janë pothuajse të njëjta”, tha ai.

 

Në janar të vitit 2018, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar një raport dhe si rezultat i statistikave e ka nxjerr Kosovën të parën sa i përket përdorimit të internetit, duke lënë mbrapa shtetet përfshirë Gjermaninë dhe Francën, qytetarët e të cilëve kanë qasje më pak në internet.