Projektet e studentëve të UBT-së, prezantohen në Gjermani

31/01/2018

 

Studentët e UBT-së, të cilët si rezultat i projektit “Erasmus +” janë transferuar për një semestër në Universitetin e Shkencave të Aplikuara “Bauhaus” në Gjermani, Stina Shabani, Lindi Hasangjekaj, Valmir Kastrati dhe Fiton Zogaj kanë prezantuar punime nga fusha e arkitekturës, urbanizmit dhe dizajnit të integruar, projekte që janë në kuadër të lëndëve semestrale.

 

Punimet në fjalë janë vlerësuar nga komisioni një përbërje me profesorët ndërkombëtarë nga Gjermania, Italia, Holanda etj., të cilët janë mahnitur me rezultatet e nxjerra nga projektet hulumtuese.

 

Sipas komisionoit vlerësues, në projektet e studentëve janë zhvilluar shumë koncepte arkitektonike, projekte të cilat i përgjigjen kërkesave shoqërore, kontekstit historik dhe atij urban.

 

Në prezantimin e projekteve kanë marrë pjesë edhe delegacioni i UBT-së, i përbërë nga Dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, Lulzim Beqiri, si dhe profesorët Binak Beqaj, Arbër Sadiku dhe Banush Shyqeriu, të cilët ishin në një vizitë punë në këtë universitet gjerman.

 

Partneriteti i UBT-së me mbi 250 universitete prestigjioze dhe institucione ndërkombëtare po shërben si urë lidhëse nëpër të cilin po kalojnë studentët e UBT-së, të cilët lehtësisht po bëhen pjesë e universiteteve të njohura botërore, krahas studentëve nga institucionet tjera.