Siguria kibernetike dhe privatësia, kërcënim dhe sfidë në Kosovë

24/01/2018

Për të ngritur çështjen e rëndësinë së sigurisë dhe privatësisë, veçanërisht për të kontribuuar në dhënien dhe sqarimin e informacioneve mbi monedhat virtuale, ka nisur punimet Konferenca Ndërkombëtare për Siguri Kibernetike dhe Privatësi, e organizuar në partneritet të Ministrisë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Qendrës për Siguri Kibernetike e Privatësi dhe UBT-së.

 

Në ditën e parë të punimeve, konferenca mblodhi krerët më të lartë shtetërorë të Kosovës, përfaqësues institucionesh arsimore, ekspertë të çështjes së sigurisë dhe privatësisë dhe studentë e njerëz të tjerë të interesuar mbi këtë çështje tashmë të përhapur në nivel global.

 

Për tri vite rresht, kur edhe ka nisur organizimi i kësaj konference, UBT ka qenë në vazhdimësi partneri dhe mbështetja më e madhe e  këtij aktiviteti të rëndësishëm për Kosovën.

 

Rektori i UBT-së, prof dr Edmond Hajrizi, tha se, UBT, si institucioni më i madh në vend e rajon për përgatitjen e profesionistëve të fushës së sigurisë dhe privatësisë, është përkushtuar që të ofrojë maksimumin e mundshëm për sigurimin dhe mbrojtjen e institucioneve shtetërore dhe qendrave akademike nga krimet kibernetike.

“Aktualisht po përballemi me një rritje të madhe të lidhjeve në internet, e kjo ndikon në ngritjen e produktivitetit, efiçiencës dhe rritjen e cilësisë së jetës. Por, çdo lidhje më shumë në internet, është kërcënim për sigurinë, andaj duhet t’i kushtojmë vëmendje ngritjes së kapaciteteve për rritjen e nivelit të sigurisë dhe privatësisë në vendin tonë”, vlerësoi Hajrizi.

 

Ai u zotua se institucioni të cilin ai e udhëheqë, do ta luftojë krimin dhe kriminelët kibernetikë, përmes ofrimit të vazhdueshëm të përkrahjes për Qendrën për Siguri Kibernetike dhe Privatësi, si dhe përmes divizionit, UBT-CERT.

 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se për të pasur më shumë siguri në krimet kibernetike, duhet të hartohen strategji dhe vegla ligjore, kjo me qëllim që të mos krijohen dëme të pariparueshme.

 

Kryeparlamentari Veseli tha se këto procese janë sfidë që duhet të tejkalohen dhe se për këtë qëllim sipas tij, është krijuar edhe Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, me qëllim të përkrahjes së këtij sektori.

 

Veseli iu bëri thirrje hakerëve të rinj që të respektojnë privatësinë dhe që zhvillimet teknologjike t’i shfrytëzojnë për të mirën  e vendit.

“Është një sfidë që duhet të tejkalojmë dhe rrugë që duhet të ndjekim me përgjegjësi, por sektori i teknologjisë informative do të mbështet edhe më shumë”, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova ka rini të talentuar me ide inovative, e cila do të mbështetet për të shfrytëzuar sektorin e teknologjisë informative, si mundësi e zhvillimit ekonomik të vendit.

 

Në konferencën e tretë për siguri kibernetike ka marrë pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë edhe Kosova është e rrezikuar nga sulmet kibernetike, teksa tha se këto krime janë prezentë edhe në jetën private.

Tutje, Haradinaj tha se  vendi është vonuar sa i përket angazhimit në sigurinë kibernetike, por sipas tij, tashmë Kosova po punon për të zënë trendët botërore.

“Mund të them lirisht se na ka zënë të papërgatitur. Këto sulmet vijnë nga vetë shtetet, spiunazhet, nga grupet e krimit te organizuar, hakerët, konkurrentët e biznesit dhe nga akterë të brendshëm të pakënaqur me organizatën që i takojnë”, ka thënë ai, sipas të cilit, duhet të mbajmë përgjegjësi secili që Kosova mos të pësojë nga këto kërcënime, duke shtuar se edhe fëmijët janë të ekspozuar nga komunikimi i pa mbrojtur.

 

Për të shfaqur mbështetjen e SHBA-ve edhe në fushën e sigurisë e privatësisë, pjesë e konferencës ishte edhe ambasadori Greg Delawie, i cili u shpreh i bindur se vendi i tij do ta vazhdojë mbështetjen e Kosovës për t’i siguruar institucionet  e qytetarët.

Ekzistojnë shumë gjëra me të cilat sot po përballet bota, përfshirë edhe sigurinë e privatësinë, që tashmë është shndërruar në sfidë globale.

“E tërë kjo situatë e krijuar, do të ketë ndikim të madh në jetën tonë dhe do ta gdhendin të ardhmen e fëmijëve tanë, sepse rëndësia dhe efektet e tyre tashmë janë prioritet dhe duhet të vazhdojnë të mbeten edhe më tutje”, tha ai.

 

Delawie vlerësoi se Kosova ka bërë shumë punë dhe avancim në rritjen e nivelit të sigurisë dhe i këshilloi institucionet që të vazhdojnë të angazhohen, me qëllim të luftimit të dëmeve që vijnë nga krimet kibernetike, përfshirë edhe parandalimin dhe ndalimin e ngacmimeve online, sulmeve ekonomike e politike, përhapjen e terrorizmit etj., elemente këto, të cilat, sipas ambasadorit amerikan, po e rrezikojnë Kosovën dhe botën.

 

Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, tregoi se bizneset por edhe institucionet janë të kërcënuara nga sulmet kibernetike, andaj rekomandoi bashkëpunim në mënyrë që ato të parandalohen.

“Ftojmë të gjithë të bashkëpunojmë në fushën e legjislacionit dhe te kryejmë hapësirë për komunitetin që merret me këto çështje. Përkrahja e SHBA-së është esenciale sepse është luftues i krimit kibernetik”, tha Beqaj, duke treguar se kërcënimet kibernetikë janë bërë kërcënim edhe për zhvillimin e biznesit edhe sigurinë kombëtare dhe në mënyrë institucionale me njerëzit e komunitetit duhet të bashkëveprohet për ta ndryshuar këtë.

 

Konferenca ndërkombëtare treditore “Siguria Kibernetike dhe Privatësia”, organizohet në partneritet me UBT-në, si dhe do të zgjasë deri më 26 janar 2018.