Tani e tutje UBT edhe në Budapest të Hungarisë

23/01/2018

 

Qendra e UBT-së në Budapest të Hungarisë është hapi i radhës i këtij institucioni drejt rritjes së bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe sidomos drejt krijimit të mundësive të reja të studentëve të këtij institucioni për vazhdimin e studimeve në universitetet hungareze dhe të shteteve të rajonit.

 

Kjo zyrë, që do të funksionojë në objektin e Universitetit Szent István të Budapestit, është rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyer të UBT-së me universitetet më prestigjioze të Hungarisë, me të cilat UBT ka marrëveshje bashkëpunimi.

 

Dhjetëra pjesëtarë të stafit dhe studentë të UBT-së, tashmë, si rezultat i marrëveshjeve të bashkëpunimit, vazhdojnë studimet në universitetet hungareze, përfshirë edhe studimet e doktoratës.

 

Zyra e UBT-së në Budapest do të drejtohet nga një bord i përbërë nga përfaqësues të shkencës e akademisë, përfaqësues të bizneseve e personalitete të ndryshme publike.

 

Në një takim të këtij bordi, Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e madhe të kësaj zyre, në funksion të përfaqësimit të UBT-së në Hungari, një nga vendet me të cilat UBT ka më së shumti bashkëpunim në fushën akademike.

 

Gjithashtu, ajo do të shërbejë edhe si qendër e realizimit të projekteve të hulumtimeve të përbashkëta ndërkombëtare, në shumë fusha me interes të dyanshëm. Një numër projektesh të përbashkëta tashmë janë realizuar.

 

Zyra e UBT-së në Budapest i shtohet zyrave që tashmë funksionojnë në Vjenë e në Tiranë, krahas kampuseve në Prishtinë, Lipjan, Prizren, Ferizaj e Pejë e zyrës në Gjilan.