Studentët e UBT-së realizuan vizitë në Institutin e Onkologjisë
15/01/2018
Studentët e Fakultetit të Mekatronikës dhe ata të Fakultetit të Stomatologjisë, në UBT, kanë realizuar vizitë studimore në Institutin e Onkologjisë, konkretisht në Departamentin e Radioterapisë, ku u shoqëruan nga profesori në UBT, Gëzim Hodolli.
Studentët janë pritur nga fizikanët e repartit, dr. Labinot Kastrati e Fesal Selimi dhe nga shefja e Repartit të Brakiterapisë, dr. Sonja Blakaj, të cilët i njoftuan studentët për rëndësinë e servisimit të pajisjeve në radioterapi.
Në kuadër të kësaj vizite, studentët patën rastin të shohin edhe pajisje të avancuara mjekësore, përfshirë përshpejtuesi linear “LINAC”, CT Simulatorin, softuerët për konturim dhe planifikim, etj. Tutje, ata gjithashtu eksperimentuan me tufa fotonesh dhe elektronesh, përmes të cilave matën përqindjen e dozës në thellësi, përmasat e fushës, gjysmëhijen e fushës dhe fushat e parregullta.
Fokusi i studentëve ishte edhe tek sistemi dozimetrik, i cili është automatizuar dhe është shembull tipik i aplikimit të mekatronikës mjekësore.
Vizita tjetër në këtë institut do të bëhet me studentët e Fakultetit të Farmacisë.