Në UBT u mbajtën ligjërata vetëdijesuese për HIV/AIDS

07/12/2017
Grupi për edukim dhe promovim shëndetësor në UBT, ka organizuar ligjërata me studentë të Fakultetit të Infermierisë dhe Stomatologjisë për të shënuar ditën botërore të HIV/AIDS.
Ligjërata për këtë sëmundje është trajtuar nga dr.Dafina Gexha-Bunjaku, teksa ka njoftuar studentët për shkaktarët e infeksionit, simptomat e për masat parandaluese.



Ajo ka thënë se ky virus vazhdon të jetë problem madhor për shëndetin publik, derisa sipas saj, shumë njerëz që janë të prekur me HIV jetojnë në vende me të ardhura të ulëta ose të mesme.


Tutje, ajo tha se kjo sëmundje mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të ndryshme trupore nga individët e infektuar, të tilla si gjaku, qumështi i gjirit etj.


Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve kanë publikuar një raport këtë javë, ku është konstatuar se numri i njerëzve të rinj të diagnostikuar me HIV në Evropë ka arritur nivelin më të lartë në vitin 2016 që kur kanë nisur regjistrimet.