UBT krijon kushte për punë praktike për studentët e Fakultetit të Shkencave të Ushqimit

24/11/2017

UBT ka realizuar projektin e ashtuquajtur “Ngritja e fushës eksperimentale kërkimore-shkencore me kultura bujqësore si produkte ushqimore me bazë bimore”, në kuadër të së cilës janë ndarë parcela për mbjelljen e produkteve bujqësore.

 

Projekti është ideuar për të krijuar kushte për punë praktike për studentët e Fakultetit Shkencat e Ushqimit, teksa tashmë janë mbjellë varietete të grurit dhe të pemëve, po ashtu janë ndërtuar edhe serra eksperimentale që njihen si laboratorë të gjelbër.


Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi ka theksuar se fushat eksperimentale me kultura bujqësore do tu mundësojnë studentëve të UBT-së punë praktike, teksa sipas tij, projekti përfshinë parcela për bimë lavërtare, sektori për pemë dhe perime, bimë dekorative dhe lule të ndryshme.


“Studentët do të kenë mundësinë që të shohin si rriten dhe zhvillohen produktet bujqësore, se si vjelën dhe të futen në procesin teknologjik të përpunimit”, tha Hajrizi.


Ndërsa, koordinatori i projektit, prof.dr Nexhat Balaj ka thënë se në fushat eksperimentale do të mbjellën produkte bujqësore si bazë për përpunimin teknologjik, përfshirë mollë, dardhë, vishnje, grurë, misër, domate, tranguj etj.


Sipas tij, studentët e UBT-së në kuadër të këtij projekti do të realizojnë edhe kërkime shkencore, për të mësuar se si këto produkte bujqësore prodhohen në Kosovë dhe më gjerë.