Në UBT prezantohet programi “Qite n’ letër” hartuar nga USAID

24/11/2017

 

Në UBT është prezantuar programi “Qite n’ letër”, projekt ky i hartuar nga USAID-i për përmbarim dhe legjislacion komercial (CLE), që shërben për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe për të krijuar një ambient më të mirë biznesor dhe për zhvillimin ekonomik e investime.


Programi është prezantuar për studentët dhe stafin akademik të UBT-së, ku sipas dekanes të Fakultetit Juridik, Jorida Xhafaj ka thënë se qëllimi i prezantimit është dhënia e informacioneve mbi përfitimet e kontratave të shkruara mirë, mekanizmat e zgjidhjes së mosmarrëveshjes etj.


Me këtë rast, zëvendës drejtoresha e programit të USAID-it, Shibani Shah ka thënë se marrëveshjet biznesore në Kosovë, tradicionalisht kanë qenë të bazuara në marrëveshje të besës, ku biznesi përfundon mbi bazën e fjalës së dhënë. Por, sipas saj, këto marrëveshje duhet të formalizohen në dokumente.


Tutje, ajo tha se kontratat e shkruara janë vendimtare për çdo person juridik dhe fizik, si dhe shërbejnë si shtylla për çdo transaksion biznesi kudo dhe në çdo kohë.


Ardi Shita, specialist ligjor, theksoi se programi në fjalë synon ngritjen e ndërgjegjësimit për dobitë e përdorimit të kontratave të shkruara, duke ofruar forma standarde të kontratave.  Sipas tij, pa kontratat me shkrim, palët shpesh i kuptojnë obligimet e tyre në mënyrë të ndryshme dhe krijon mosmarrëveshje.


Ndërkohë zyrtarja ligjore, Hasije Abdullahu ka folur ndërmjetësimin, teksa përmendi se vetëm kontratat e përpiluara në mënyrë të qartë si pasojë e negocimit të mirë konsiderohen si të kompletuara dhe ofrojnë mbrojtjen adekuate për bizneset.


Kurse Edona Bytyçi, këshilltare ligjore, tregoi për sistemin e përmbarimit privat, e cila ka përmendu rastet kur një lëndë shkon tek përmbaruesi pastaj karakteristikat dhe përparësitë e përmbarimit si dhe në fund tregoi se si fillohet procedura e përmbarimit.


“Qite n’leter” është program për përmbarim dhe legjislacion komercial, ku promovon zhvillimin e kulturës së kontratave në Kosovë, përmes legjislacionit të përmirësuar, aftësive të zgjeruara në profesionin ligjor dhe praktikat më moderne të biznesit.