Mbi 20 studentë të UBT-së, pjesë e kompanisë “JusPost”

04/09/2017

Mbi 20 studentë të Fakultetit të Shkencave kompjuterike dhe Inxhinierisë në UBT, aktualisht janë duke punuar në kompaninë e themeluar së fundmi, “JusPost”, e cila ka për synim që t’i lidhë tregjet e pasurive të patundshme nga e mbarë bota, në të njëjtën kohë dhe në një rrjet të vetëm, ku përdoruesit do të jenë në gjendje të tregtojnë, shfletojnë dhe reklamojnë pronat e tyre dhe pasuritë e tjera të patundshme.

 

Themeluesi i kësaj kompanie, Haxhi Rugova tha se pjesa dërrmuese e stafit të kompanisë është i përbërë nga studentët e UBT-së, dhe sipas tij, kjo më së miri e tregon nivelin e zhvillimit të tyre akademik e profesional.
“Ne jemi shumë të kënaqur që jemi duke bashkëpunuar me UBT-në, si me studentët, ashtu edhe fakultetin. Studentët janë shumë të talentuar dhe deri më tash kanë qenë të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit, por mbi të gjitha, të përkushtuar ndaj arritjes së qëllimeve tona në realizimin e projekteve , andaj ne jemi të lumtur që ata janë pjesë integrale e ekipit tonë në rritje”, theksoi Rugova.


Studentët janë të angazhuar në kompaninë “JusPost” si pjesë e stafit të rregullt, si dhe disa prej tyre janë duke kryer edhe punë praktike, me mundësi punësimi në të ardhmen, teksa angazhimi i tyre është vetëm një fakt që dëshmon për lehtësinë me të cilën studentët e UBT-së pranohen si vlerë shtesë në tregun e punës.