Fillon aktiviteti i SHKI-së në ANV, ligjëron profesori Philip Polstra

05/07/2017

Fakulteti i Shkencave kompjuterike dhe Inxhinierisë në UBT, në kuadër të Akademisë Ndërkombëtare Verore, ka filluar me ciklin e ligjëratave tematike, të cilat më pas pasuan me mbajtjen e punëtorisë, e organizuar në koordinim me tematikën e këtij aktiviteti, e që do të mbahen nga profesori i University of Bloomsburg, njëherësh edhe haker i njohur, dr Philip Polstra, të ndihmuar edhe nga profesorët e UBT-së.

 

Hapjen e këtij aktiviteti i bëri rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, i cili pohoi se siguria e informacioneve në një epokë të zhvillimit të madh digjital, si kjo e tanishmja, është sa e rëndësishme aq edhe e rrezikuar. Sipas Hajrizit, me qëllim të gjenerimit të kompetencave në këtë aspekt, institucioni të cilin ai e drejton, ka themeluar divizionin UBT-CERT dhe Qendrën për Siguri kibernetike dhe Privatësi, teksa tregoi se UBT është edhe në procesin e aplikimit për krijimin e programit të studimit në këtë fushë.

 

“Ne kemi aplikuar me një program të ri që ka të bëj me intervenimin në spektrin legal , qe e kemi quajtur drejtësia, kriminologjia kompjuterike dhe forenzika, ku do të përfshihet aspekti i inxhinierisë kompjuterike, forenzikës dhe  aspektit të drejtësisë”, tha rektori Hajrizi, me ç’rast theksoi se ka shumë hapësirë për përfshirje, kjo sepse, sipas tij, në vendin tonë mungojnë kompetencat ndërdisiplinore dhe juristët kanë mungesë të njohurive në trendët e zhvillimeve në aspektin e sigurisë.

 

 

 

Tutje, ai përmendi edhe sukseset e laboratorit të UBT-së, i cili ditë më parë certifikoi dhjetëra studentë të SHKI-së, të cilët për gjashtë muaj me radhë u morën me temat e harkimit, me simulimin e rasteve e incidenteve në fushën e sigurisë, si dhe mësuan se si të marrin masa parandaluese për rastet kur ka sulme kibernetike.

 

 

Ligjëruesi i sivjetmë i kësaj akademie, hakeri dhe profesori i University of Bloomsburg, dr Philip Polstra tha se përmes aktiviteteve të tilla, planifikon ta zgjerojë bashkëpunimin me UBT-në, duke zhvilluar strategji të reja dhe të përbashkëta në fushën e sigurisë.

Gjatë kësaj dite, Polstra mbajti ligjëratën e parë për pjesëmarrësit e ANV-së, ku u fokusua në temën: “Digital Forensics with Open Source Tools – Linux”, pas secilës u organizua një punëtori për studentët pjesëmarrës, përmes ekzekutimit të komandave, krahasimeve e rezultateve,

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin edhe përfaqësuesit e kompanive të njohura vendore, përfshirë atë të kompanisë “Rrota”, Ardian Veliu, pastaj Arjeta Gashi nga KOSTT dhe Arianit Zabërgja nga kompania “Formon”, të cilët u shprehën se janë të lumtur që për kompanitë përkatëse punojnë ose përfundojnë praktikën studentët dhe ish-studentët e UBT-së. Për më tepër, përfaqësuesi i kompanisë “Rrota”, Ardian Veliu tregoi se gjysma e stafit të kësaj kompanie kanë qenë dikur ose janë ende studentë të UBT-së.