Në UBT filloi punimet punëtoria “UPSHIFT: Social Impact Workshop”

05/05/2017

Në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, të premten filloi punimet punëtoria “UPSHIFT: Social Impact Workshop”, organizuar nga UBT dhe UNICEF Innovations Lab Kosovo, ku mbi 40 studentë të UBT-së, të ndarë në 10 grupe, do të punojnë për tri ditë me radhë në finalizimin e projekteve të tyre inovative, me qëllim të identifikimit të problemeve dhe të ofrimit të zgjidhjeve për lehtësimin e jetës së qytetarëve.

 

 hapjen e këtij aktiviteti, rektori i UBT-së prof. dr Edmond Hajrizi tha se nismat e tilla shërbejnë si motivim i studentëve për të menduar për problemet, dhe mbi të gjitha, për të kërkuar zgjidhje për to.


“Qëllimi ynë është që përmes këtij organizimi, t’i shtyjmë studentët tanë të krijojnë ide të mira, të definojnë probleme dhe të gjejnë zgjidhje inovative për to”, theksoi Hajrizi, teksa i inkurajoi studentët që të punojnë dhe të zhvillohen profesionalisht, në mënyrë që sipas tij, “duke përdorur zgjidhje globale, të gjejnë zgjidhje për probleme lokale”.


Nënkryetari i zyrës së organizatës “UNICEF”, në Kosovë, James Mugaju theksoi se fokusi i tërë veprimeve të tyre është tek të rinjtë, pasi që sipas tij, ata janë e ardhmja e Kosovës.

“Nuk ka mënyrë më të mirë për të mbështetur një vend, sesa të investosh në kapitalin e tij njerëzor”, vlerësoi ai, duke i inkurajuar studentët që të krijojnë identitetin e tyre, të edukohen mirë dhe të bëhen njerëz të suksesshëm.

 

Në kuadër të këtij aktiviteti, UBT dhe UNICEF Innovations Lab Kosovo nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, për të bashkërenduar dhe për të mbështetur aktivitete të ndryshme inovative, të cilat kanë për qëllim të ndihmojnë në identifikimin dhe në zgjidhjen e problemeve të ndryshme, me të cilat përballen qytetarët e Kosovës në baza ditore.