Arkitekti Laaksonen ligjëron për studentët e UBT-së

04/05/2017

Arkitekti i famshëm finlandez, Esa Juhani Laaksonen, për studentët e Arkitekturës dhe të Dizajnit të Integruar në UBT, mbajti ligjëratë tematike më titull: “Shembuj të zgjedhur – Shpirti i Dizajnit dhe Arkitekturës Finlandeze”, përmes së cilës, ai u mundua të vë në pah vepra të realizuara nga dizajni dhe arkitektura finlandeze, që në vete mbajnë thjeshtësi dhe përdorim të materialeve natyrore, në mënyrë që të njëjtat t’i shfrytëzojnë për të krijuar rrymën e arkitekturës bashkëkohore, duke i përdorur metodat dhe filozofinë e njëjtë të dizajnit.

 

Duke i prezantuar para studentëve shembujt konkretë të punimeve dhe veprave të arkitektëve dhe dizajnerëve të famshëm dhe të rinj finlandezë, Laaksonen tha se ata po tentojnë ta trashëgojnë dizajnin nga gjeneratat e vjetra, por duke i dhënë objekteve dhe veprave tjera një frymë bashkëkohore.


“Përmes kësaj rryme të re të zhvilluar në fushën e dizajnit dhe arkitekturës, e që është e bazuar në zhvillimin e këtyre fushave në vitet e ‘50-ta dhe të ‘60-ta, Finlanda po mundohet të jetë njëra ndër vendet udhëheqëse në fushën e dizajnit dhe të krijimit të arkitekturës bashkëkohore”, theksoi ai.

 

Përmes njoftimit të studentëve me punën e personaliteteve të njohura vendore e ndërkombëtare, UBT po mundohet të ofrojë ofrojë praktikat dhe shembujt më të mirë profesionistë vendorë e ndërkombëtarë, për t’u marrë si model nga studentët.