Instituti i Medias dhe UBT mbledhin shumë ekspertë për të diskutuar për sigurinë e gazetarëve në Kosovë

03/05/2017

Liria e shtypit dhe e fjalës, është liri e njeriut, ndërsa në Kosovë, siç tregon edhe raporti më i ri i “Freedom House”, gazetarët dhe mediat nuk e gëzojnë këtë liri në masë të duhur dhe të kënaqshme.


Kështu u tha në konferencën me temë “Siguria e gazetarëve në Kosovë”, organizuar në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, nga Instituti i Medias në Kosovë, në bashkëpunim me UBT-në.


Në këtë organizim i ftuar ishte ish-zëvendës kancelari i Austrisë, dr Erhard Busek, si dhe gazetarë, analistë, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe udhëheqës të institucioneve arsimore, të cilët diskutuan për problemet e gazetarëve të cilët përballën çdo ditë në punën, sigurinë e tyre si dhe reflektimin e medieve në proceset shoqërore.


Kryetari i Institutit të Medias, Fazli Veliu ka theksuar se mediat në vend kanë probleme të dukshme dhe serioze që vijnë kryesisht nga ndërhyrja e politikës. Sipas tij, Kosova vazhdon të jetë mes vendeve me probleme serioze në lirinë e shtypit e të gazetarëve.


“Në Kosovë, në 20 vjetët e fundit, janë vrarë 11 gazetarë të etnive të ndryshme dhe asnjë autor i tyre nuk është zbuluar. Kjo  në fakt është shqetësuese nga ana e sundimit të ligjit. Në anën tjetër, gazetarët nuk po guxojnë të bëjnë hulumtime shkaku i presioneve. Ata nuk ndjehen të sigurt as në mediumin ku punojnë as në rrugë as në shtëpi”, ka thënë Veliu.


Ish-zëvendës kancelari i Austrisë, dr Erhard Busek ka theksuar se liria e shprehjes, medias dhe informacionit janë të drejta që janë të rrënjosura në mënyrë të prerë në kornizën ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare. Andaj sipas tij, mediat duhet të ngrisin zërin për ndryshime.


“Ndikimi i mediave është shumë i fuqishëm dhe këtë ndikim po e shtrijnë përmes rrjeteve sociale dhe mediave të tjera elektronike. Kështu me rritjen e lajmeve të rrejshme, po rriten mundësitë për të manipuluar publikun dhe kjo është një sfidë e rrezikshme”, tha Busek.


Duke folur për lajmet jo të vërteta që publikojnë mediat në Kosovë, Agron Bajrami kryeredaktor në gazetën “Koha Ditore”, ka thënë se lajme të tilla janë të sponzorizuara.


“99 për qind janë lajme nga nevoja për përfitime, që po i dëmtojnë vetë mediat dhe ata që synojnë të merren me gazetari profesionale”, tha ai.


Ndërkohë rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi ka thënë se UBT është institucion i arsimit të lartë, i cili është i interesuar dhe po punon në lidhje me identifikimin e problemeve potenciale, si lirinë e mediave dhe besueshmërinë e tyre.


“UBT në bashkëpunim me Institutin e Medias po realizon projekte që kanë të bëjnë me gjendjen dhe lirinë e besueshmërinë e mediave, sepse konsideroj që gazetarët kanë rol kyç në procesin e pranimit dhe dhënies së informacionit”, ka bërë të ditur Hajrizi.


Kryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, deputetja Xhevahire Izmaku, tha se përveç problemeve të shumta që ballafaqohen gazetarët, një tjetër çështje shqetësuese është se ata nuk paguhen me rregull për punën e tyre.

 

Derisa Mentor Shala, drejtor gjeneral i Radio Televizionit të Kosovës, ka theksuar se kohëve të fundit janë shtuar edhe kërcënimet ndaj gazetarëve. Sipas tij, problemi qëndron tek prokuroria, sepse ajo këto raste duhet t’i trajtojë me urgjencë.


“Në këtë segment duhet të punohet shumë sepse ka filluar të ashpërsohet gjuha kërcënuese ndaj gazetarëve”, tha Shala.


Për aspekte të ndryshme të gazetarisë në Kosovë dhe sigurisë së gazetarëve kontributin e tyre me diskutime e dhanë edhe gazetarë më përvojë të gjatë Halil Matoshi, Nexhmedin Spahiu e të tjerë.


Konferenca u përmbyll me një debat të gjerë lidhur me sigurinë e gazetarëve, profesionalizmin e medias dhe gazetarëve, në një kohë kur e gjithë media, në nivel global, po njeh zhvillime të hovshme, të diktuara nga zhvillet teknologjike.