Studentët e UBT-së, të kërkuar nga tregu i punës

07/04/2017

Studenti i vitit të dytë në Fakultetin e Medias dhe Komunikimit në UBT, Endrit Gashi, katër vitet e fundit ka qenë pjesë aktive e portaleve të ndryshme vendore, ku ka punuar në disa prej tyre, duke përfshirë portalet IndeksOnline, lajmi.net, teksa aktualisht është duke punuar në Gazetën Express.

 

Gashi tha se gazetaria ka qenë gjithmonë pasioni i tij, prandaj ka filluar të punoj në moshë të re, por, sipas tij, duke studiuar në UBT, ka arritur të avancohet edhe më shumë në aspektin profesional.

“Duke studiuar në një vend ku ka profesorë shumë profesionalë, më ka ndihmuar shumë që të aftësohem dhe të përmirësohem në punën që e bëj”, vlersësoi ai, teksa u shpreh se ka parë një përmirësim dhe produktivitet tek vetja e tij.

 

Krahas punës në Gazetën Express, Gashi i ka nën menaxhim edhe dy ueb-faqe personale, pergatit.com dhe kuize.net, si dhe është njëri ndër menaxherët e faqës “Njerëz të Kosovës”.

Sipas tij, i gjithë ky aktivitet dhe interesim për botën mediale, është falë dashurisë së madhe për profesionin e gazetarisë, por edhe dëshirës së tij për të qenë i informuar dhe për të informuar të tjerët.

“Në çdo media që kam punuar kam tentuar që përmes shkrimeve të mia, përveç informimit, edhe t’i argëtoj lexuesit me gjëra interesante, teksa në të njëjtën kohë jam argëtuar edhe vetë”, tha studenti Gashi, teksa tregoi për sfidën dhe të mirat e të punuarit në mediat online.

 

“Të punosh në media do të thotë të kesh njohuri për atë se çfarë dëshiron publiku të lexojë, prandaj është një ndjenjë shumë e mirë, kjo sepse përmes shkrimeve të mia, e rris besimin tek audienca, teksa në të njëjtën kohë, mediat online më kanë ndihmuar në gjenerimin e ideve të reja”, përfundoi Gashi.

 

Një numër i madh i studentëve të Medias e Komunikimit në UBT, kanë arritur të punësohen nëpër institucione dhe shtëpi të ndryshme mediale vendore, si rezultat i anagzhimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me profesorët e këtij fakulteti.