Studentët e SHKI-së, praktikantë në MAPL

01/03/2017

Studentët e Fakultetit të Shkencave kompjuterike dhe Inxhinierisë në UBT, Blend Reçica dhe Enis Krapi kanë filluar intership në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), si praktikantë të IT-së, ku ndër tjerash merren me zgjidhjen e të gjitha problemeve të kësaj fushe.


Kjo mundësi e ofruar për studentët është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet UBT-së dhe kësaj ministrie.

 

Reçica tha se praktika të cilën po e bëjnë është një mundësi për zbatimin praktik të njohurive teorike, të fituara gjatë studimeve në UBT.

“Puna në ministri është përvojë e mrekullueshme, sepse gjithçka që e kemi mësuar teorikisht, tash po e bëjmë në mënyrë praktike”, vlerësoi ai, i bindur se puna që po e bëjnë në këtë institucion, do t’i avancojë ata në aspektin profesional.

 

Duke folur për mënyrën e aplikimit, studenti Krapi tregoi se informacionet e para për këtë mundësi i kanë marrë nga Qendra e Karrierës së UBT-së.

“Informacionin e parë e kemi marrë përmes email-it, të dërguar nga Qendra e Karrierës, teksa disa ditë më vonë, na kanë informuar se jemi përzgjedhur”, tha ai, për të shtuar se “një përvojë e tillë na njofton me punën që bëhet nëpër institucione dhe në këtë mënyrë po përgatitemi që të mos i frikësohemi tregut të punës dhe konkurrencës”.

 

Fakulteti i Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë në UBT ka mbi 1500 studentë të regjistruar, teksa çdo vit tërheq qindra të rinj, të pasionuar pas shkencës dhe inovacionit, duke u bërë kështu shkolla më e madhe e teknologjisë informative në rajon.