Ekspertët e NATO-s sqarojnë anëtarësimin e shteteve në këtë organizatë politike e ushtarake

23/02/2017

UBT, me organizimin e tryezës më temë “NATO dhe e ardhmja e sigurisë euroatlantike”, ka mbledhur të enjten ekspertët e lartë të NATO-s: Giorgio Battisti- komandant i Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinës së Ushtrisë italiane dhe Brook Smith-Windsdor – përfaqësues i Kolegjit të Mbrojtjes i NATO-s.
Ekspertët në mënyrë të detajuar kanë përshkruar rolin e NATO-s gjithandej globit, duke sqaruar për të pranishmit rolin dhe ndikimin e saj, historikun e krijimit dhe mënyrën e funksionimit të kësaj aleance, si dhe për anëtarët dhe partneritetet që ka me shumicën e shteteve të botës.

 

Që në hapje, rektori i UBT-së ka falënderuar pjesëmarrësit, për të vijuar se, institucioni të cilin ai drejton, i kushton rëndësi të madhe fushës së sigurisë së përgjithshme.
“Siguria është një element thelbësor për të gjitha shtetet e botës, duke përfshirë edhe Kosovën, prandaj krahas institucioneve shtetërore, UBT po mundohet t’i jap hapësirën e merituar sigurisë shtetërore e globale, sigurisë kibernetike e marrëdhënieve ndërkombëtare”, tha rektori Hajrizi, teksa tregoi se “në UBT është themeluar Qendra për Siguri trans-atlantike, e cila do të merret me trajtimin, studimin dhe analizimin e çështjeve të sigurisë”.

 

Presidenti i Këshillit Atlantik të Shqipërisë, Arian Starova tha se rrethanat aktuale në të cilat gjendet Kosova, “tregojnë se jemi në rrugë të mbarë për të përshpejtuar procesin e pranimit të Kosovës në NATO”.
“Rezultatet e fundit tregojnë se FSK është plotësuar dhe se është e gatshme të shndërrohet në ushtri, madje këtë e ka mbështetur edhe administrata e Amerikës”, vlerësoi Starova.

 

Përfaqësuesi i Kolegjit të Mbrojtjes i NATO-s, dr Brook Smith – Windsor, duke treguar për hapat që një shtet duhet ndërmarrë për t’u bërë anëtar i NATO-s, tha se pranimi në këtë aleancë nuk është destinacion, por është udhëtim sepse, sipas tij, që në momentin kur hyn, duhet të bëhesh bashkë me vendet e tjera, për të luftuar dhe për të kërkuar zgjidhje për problemet e fushës së sigurisë.
“Është qenësore që para aplikimit për anëtarësim në NATO, secili shtet të rregullojë sigurinë e vet të brendshme, të jetë shtet i sigurt e stabil dhe në gjendje për të menduar më pas për sfida më komplekse, të shënjojë kufijtë dhe të ketë raport të mirë me shtetet fqinje”, theksoi Smith- Windsor, teksa tregoi mënyrën e funksionimit të kësaj aleance.
“Përfitimi nga pranimi i një vendi në NATO, nuk është i njëanshëm. Secili shtet duhet të marrë, por dhe të kontribuojë në aspektin e sigurisë së përgjithshme globale, prandaj edhe reagimi është i përbashkët, sepse brenda aleancës, të sulmosh një shtet, është njësoj sikur t’i sulmosh të gjitha njëherësh.”.

 

Tutje, Smith- Windsor shpjegoi disa prej ideve të gabuara, të cilat shtetet dhe popujt e ndryshëm i kanë krijuar karshi NATO-s.
“Brenda popujve të ndryshëm janë krijuar disa ide dhe koncepte të gabuara për mënyrën e funksionimit, organizimit dhe veprimit brenda aleancës euroatlantike”, theksoi ai, teksa numëroi disa prej tyre.
“NATO nuk është vetëm aleancë ushtarake, por edhe politike dhe si e tillë, as SHBA dhe as ndonjë vend tjetër nuk dominon mbi anëtarët e tjerë sepse çdo vendim merret me miratimin e të gjitha shteteve përbërëse. Përveç kësaj, NATO nuk është në shërbim të asnjë feje dhe nuk punon kundër myslimaneve, si dhe nuk është garuese me BE-në e as kundërshtare e Rusisë”, tha Smith- Windsor.

 

Komandant i Komandës së Stërvitjes dhe doktrinës së Ushtrisë italiane, Giorgio Battisti tha se në përbërjen e vet, NATO ka një shumëllojshmëri popujsh, kulturash, traditash, gjuhësh, gjinish, uniformash e pikëpamjesh, por sipas tij, asnjëra prej tyre nuk përbën dobësi dhe vetëm sa e shton vlerën e kësaj aleance.
“Në qendrën e interesit të NATO-s janë njerëzit dhe më pas teknologjia dhe të gjitha mjetet janë nën shfrytëzimin e tyre, ndonëse të ndryshëm, kjo organizatë është unike dhe nuk ka asnjë problem të llojit etnik, gjuhësor apo gjinor”, vlerësoi Battisti, i cili duke folur për mënyrën e marrjes së vendimeve, shtoi se “secili vend e ka peshën e njëjtë në marrjen e vendimeve, pra brenda aleancës, të gjitha vendet duhet të jenë të barabarta”.

 

Sipas gjeneralit Battisti, një rol të madh në funksionimin dhe koordinimin e NATO-s, e luajnë edhe partnerët e jashtëm, të cilët sipas tij, janë mbështetës dhe kontribuues të mëdhenj në ruajtjen e sigurisë dhe paqes.
“NATO nuk është vetëm përbërje e 28 shteteve të ndryshme, por është rrjet i madh i partneritetit mes vendeve të ndryshme të botës”, tha ai, për të shtuar se, Mali i Zi është pothuajse në përfundim të procedurave për t’u bërë aleati më i ri i kësaj aleance.

 

Komandanti i Komandës së Stërvitjes në FSK, Enver Cikaqi vlerësoi se Kosova është në një pikë të rëndësishme, sa i përket zhvillimeve të brendshme, në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Kosova dhe veçanërisht ne si FSK, kemi bashkëpunuar ngushtë me NATO-n dhe të gjithë bashkëpunëtorët tanë, për të krijuar të gjitha kushtet për ngritjen e kapaciteteve tona”, tha ai, teksa vlerësoi lart kontributin e aleancës euroatlantike në këtë aspekt.
“FSK ka punuar ngushtë me NATO-n dhe jemi duke pritur të bëjmë ndryshimet kushtetuese për të shndërruar forcat tona të armatosura në ushtri, pasi që këto vlerësime kanë ardhur edhe nga partnerët tanë strategjikë”.

 

Tutje, ai sqaroi se FSK ka ndërtuar një sistem të mirë, bazuar në standardet e NATO-s, mbi edukimin dhe shkollimin, e që sipas tij, këto vlera e kanë bërë institucionin më të besueshëm në vend.

 

Profesori Nusret Pllana, duke folur për rëndësinë e ndërhyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, përmes një kumtese tregoi se përfshirja e kësaj aleance në luftën e Kosovës, kishte karakter humanitar.
“Ndërhyrja e forcave euroatlantike bëri që qytetarët e Kosovës të shpëtonin nga shfarosja etnike, të cilën e kishte planifikuar Serbia dhe kjo fushatë ishte kundërpërgjigje kundër zhdukjes së njërit prej popujve më të vjetër dhe më liridashës të Ballkanit”, vlerësoi ai.

 

Në fund të këtij organizimi, referuesit u përgjigjën në pyetjet e të pranishmëve, që kryesisht kishin të bënin me rëndësinë e ndërhyrjes së forcave të NATO-s, për mbrojtjen e popujve të vegjël, pastaj për ndikimin e Amerikës në këtë aleancë, për marrëdhëniet me Rusinë dhe kërcënimin që vjen prej saj, për problemet dhe përballjen me sulmet kibernetike etj.