UBT-ja, për nder të pavarësisë, u dhuron bursa mbi 100 studentëve

16/02/2017

UBT-ja, si institucion i arsimit të lartë privat në Kosovë, ka vendosur që përvjetorin e nëntë të shpalljes së pavarësisë ta shënojë duke ndihmuar studentët me bursa dhe duke nderuar personalitetet më të shquara të vendit.

 

Kështu, për nder të 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Kosovës, mbi 100 studentë të UBT-së do të shpërblehen me 20 % zbritje për vitin akademik 2016/2017.

Studentët vlerësohen në bazë të notës mesatare, kryerjes së provimeve në afat të rregullt, aktiviteteve studentore e të komunitetit, disiplinës, moralit të lartë akademik e shkencor etj.

 

Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi thekson se ndarja e bursave për studentë të dalluar  tani më është bërë traditë në UBT, por  tani shpallja e studentëve të dalluar do të bëhet tradicionale, saktësisht për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Ai shton se qëllimi i shpalljes së studentëve të dalluar është motivimi i tyre.


“Motivimi i studentëve për të vazhduar me suksesin e shkëlqyer, si dhe dhënia e kontributit në krijimin e gjeneratave të reja kontribuon edhe në përmirësimin e jetesës së qytetarëve në Kosovë në përgjithësi, por  edhe cilësisë në studime në veçanti”, tha rektori Hajrizi.

 

Ditën e Pavarësisë së Kosovës, UBT-ja e shënon edhe me aktivitete të tjera.

 

Mirënjohjet për studentët do të ndahen, të enjten (16.02.2017), duke filluar nga ora 13:00, në Kampusin e UBT-së në Prishtinë.