Vazhdon punimet Konferenca për Siguri kibernetike dhe Privatësi

03/02/2017

Në pjesën sesionin e dytë të Konferencës ndërkombëtare për Siguri kibernetike dhe Privatësi është trajtuar tema ” Ndërgjegjësimi për rolin e sigurisë kibernetike”, moderuar prof.dr Edmond Hajrizi.


Teuta Zymberi, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës FIT, gjatë prezantimit të saj, tha se fëmijët janë më të rrezikuarit nga përdorimi i internetit në mënyrë të pakontrolluar, teksa shpjegoi metodat dhe programet për mbështetjen e tyre.

“Qendra jonë ofron këshilla për femijët, prindërit dhe edukatoret . Prindërit sot kanë nevojë për mbështetjen tone, për të kuptuar rreziqet që mund t’i kanosen fëmijëve të tyre”, tregoi Zymberi, teksa shtoi se “përdorimi i kujdesshëm i internetit ndihmon fëmijët të mësojnë më shumë për botën”.

Tutje, ajo prezantoi disa të dhëna të një ankete të realizuar me fëmijët, rezultatet e të cilave treguan se, 97% e fëmijëve janë përdorues të rregull të internetit.


Shefi i departamentit të FIEK-ut në UP, Blerim Rexha vlerësoi se duhet të ngritet niveli i vetëdijes për mbrojtjen e privatësisë, e cila sipas tij, është e kufizuar dhe përballet me probleme të shumta.

“Në rastin e sigurimit të një qyteti me kamera bëhet mbrojtja dhe rritet niveli i sigurisë, por në anën tjetër cenohet privatësia e qytetarëve”, theksoi ai.


Drejtori i përgjithshëm i ASHI-së. Kujtim Gashi tregoi se institucioni të cilin ai e drejton ofron shërbime të ndryshme dhe shumë të nevojshme.

“Ne ofrojmë shërbime në hostimin e sistemeve dhe aplikacioneve, sigurimin e tyre fizik, hostimin e tyre në Qendrën shtetërore të të Dhënave, përveq kësaj, ASHI menaxhon është edhe pronare e rrjetit qeveritar GovNET”, tregoi Gashi, për të shtuar se “organizimi i sigurisë në rrjetin shtetëror është i bazuar në praktikat më të mira botërore”.


Ligjëruesi në Universitetin Bloomsburg të Pensilvanisë, Philip Polstra shpjegoi mënyrat dhe pajisjet se si mund të maskohen mjetet e ndryshme për vëzhgimin.

“Ekspertët e kësaj fushe kanë mundësi që të maskojnë mjetet dhe pajisjet e vogla për të vëzhguar dhe për të drejtuar sulme të ndryshme kibernetike edhe në distancë”, theksoi Polstra.

 

Dita e dytë e Konferencës për Siguri kibernetike dhe Privatësi do të mbahet në ambientet e hotelit Emerald, ndërkaq në ditën e fundit punimet do të zhvillohen në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan.